E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtria gjermane atraktive pavarësisht rreziqeve

Misionet jashtë vendit, reformat dhe heqja e shërbimit të detyruar kanë bërë që Bundewehr-i të përballet me vështirësi. Por duket se ende ka mjaft kandidatë për ushtarë profesionistë për një kohë të caktuar.
Ata vijnë në parim për dy vite dhe mesatarisht mbeten 12 vite. Të paktën dy herë duhet të shkojnë gjatë shërbimit të tyre në misione jashtë vendit. Ata marrin rroga të mira dhe shtesa përkatëse, kanë përkujdesin mjekësor dhe vendi i tyre i punës konsiderohet si i paprekshëm nga kriza ekonomike. Duket atraktive apo jo? Kështu përshkruhet vendi i punës për një ushtar të përkohshëm profesionist në Bundeswehr (ushtria gjermane) dhe duket se kjo me të vërtetë është interesante për shumë njerëz, shkruan DeutscheWelle.

Pas heqjes së detyrimit ushtarak në Gjermani me 1. korrik 2011, Bundeswehri është dashur të bëj ndryshime radikale. Deri atëherë në Bundeswehr vinin rregullisht çdo vit rreth 60.000 rekrutë të rinj, ndërsa tani ushtria gjermane duhet të kërkojë ushtarë përmes konkurseve dhe anonsave në gazeta, vizitave nëpër shkolla dhe prezantimeve në panaire e manifestime të tjera. Megjithë prognozat pesimiste, duket se koncepti ka pasur sukses, sepse kandidatët nuk mungojnë. Më 1 janar 2013 filluan punën e tyre si ushtarë të përkohshëm rreth 3500 të rinj. Ushtria gjermane ka plotësuar në këtë mënyrë që në fillim të vitit rreth 25 % të nevojave për këtë vit. Brenda një viti ajo ka nevojë për 16.150 ushtarë të rinj. Ministria e Mbrojtjes pohon se deri tani ata nuk kanë pasur probleme me numrin e kandidatëve që duan të shërbejnë si ushtar të përkohshëm në Bundewehr. Gjatë vitit 2012 ka pasur mbi 40.000 kandidatë, që do të thotë gati 3 kandidatë për një vend.

Numri i kandidatëve në vendet e tjera është më i lartë


Deputeti gjerman Harald Koch nga partia e Majta thotë se ky numër i kandidatëve nuk është fort i mirë. "Statistikat e vendeve të tjera në Evropë tregojnë se numri i kandidatëve është më i lartë se tek ne", sipas tij. Këtu nuk duhet harruar edhe shifra shumë e lartë prej 30,4 % e të atyre, që e ndërpresin këtë shërbim. "Kjo dëshmon se ajo që premtohet në konkurse nuk realizohet në realitet dhe nuk thuhet se me çfarë gjërash do të përballen të rinjtë në Bundeswehr", vëren Koch.
Megithatë duket se ushtria gjermane ende ka argumente bindëse për të tërhequr numrin e duhur të kandidatëve. Përveç të ardhurave të sigurta, puna e ushtarëve është e shumëllojshme dhe interesante, thuhet në Ministrinë e Mbrojtjes. Bundeswehr-i e ka dhe sistemin e vet të ngritjes në profesion. Ushtarët kanë mundësi të ngritjes profesionale gjatë shërbimit. Ushtarët, të cilët angazhohen për shembull për 12 vjet, efektivisht kalojnë në ushtri rreth 10 vite. Dy vitet e fundit ata mund të bëjnë një shkollim të mëtejshëm dhe të diplomohen në drejtime të ndryshme, në mënyrë që të përgatiten sa më mirë për ekonominë civile.
"Bundeswehr-i ofron mundësi atraktive për shkollim dhe përgatitje, të cilat nuk ofrohen diku tjetër", thotë eskperti Harald Koch. Ata që kanë shkuar në ushtri menjëherë pas gjimnazit, gjatë qëndrimit atje mund të kryejnë edhe ndonjë fakultet, me shpenzimet e Bundeswehr-it. Kjo me siguri që është atraktive, në kohën kur duhen paguar taksa të larta për studime dhe kur sistemimi në banesa e konvikte kushton shumë. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›