E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familjarët e Gërdecit ankesë në Kushtetuese

 

Armand Bajrami

Depozitohet në Gjykatën Kushte-tuese kërkesa e 21 familjarëve të 26 viktimave të shpërthimit të Gërdecit për rishqyrtimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, që veçoi padinë e tyre nga çështja penale.
 Ashtu siç u deklarua nga avokatët e familjarëve të dëmtuar, ditën e seancës së ish-ministrit Mediu në Gjykatën e Lartë, dy ditë më parë kërkesa mbërriti në Gjykatën Kushtetuese. Familjarët e viktimave të tragjedisë kërkojnë pezullimin e vendimit të datës 22 maj të Gjykatës së Lartë që i veçon ata nga procesi penal ndaj 30 të pandehurve të tjerë. Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese ata kërkojnë pezullimin e ekzekutimit të këtij vendimi dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim me një kolegj të ri penal. Sipas kërkesës së përgatitur nga 4 avokatët që përfaqësojnë familjarët e viktimave, vendimi i 22 majit është antikushtetues, thelbësisht arbitrar dhe i dëmshëm për jurisprudencën shqiptare. Ata pretendojnë se u është hequr e drejta për t'u dëgjuar si palë në procesin penal, megjithëse ishin të legjitimuar si të dëmtuar dhe si paditës nga Prokuroria e Përgjithshme. Në argumentimin e kërkesës, avokatët kanë pohuar se në këtë vendim Kolegji Penal i kryesuar nga gjyqtari Besnik Imeraj, është kontradiktor me vetveten. "Kolegji Penal është kontradiktor me vetveten, në një seancë më parë, ai refuzoi ekzistencën tonë si palë e dëmtuar dhe paditëse civile, në atë proces penal, si të legjitimuar nga organi procedues, Prokuroria e Përgjithshme, nga ana tjetër i bie pa na legjitimuar në proces, na veçon nga procesi penal arbitrarisht", thuhej në kërkesë. Duke pretenduar se u është cenuar e drejta për një proces të rregullt ligjor mbrojtësit ligjorë të familjarëve të viktimave cilësojnë si arbitrar edhe arsyetimin e gjykatës në vendim padia civile do ta zvarriste apo vështirësonte procesin. "Ky lloj arsyetimi i vendimit të Gjykatës, veç i kundraligjshëm është dhe alogjik, pasi ne të dëmtuarit dëshirojmë, që procesi të përfundojë sa më parë që dhe të dëmshpërblehemi sa më parë", citohet në kërkesë. Ndërsa kërkesa u depozitua në Gjykatën Kushtetuese dy ditë më parë, në ditët në vijim pritet të procedohet me shqyrtimin e saj nga togat e zeza të kësaj gjykatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›