E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyn në fuqi mbrojtja speciale e gjyqtarëve

 

TIRANE - Gjyqtarëve të Krimeve të Rënda u sigurohet mbrojtje e veçantë personale, e familjes dhe e pronës, në rast se ato u rrezikohen për shkak të detyrës së tyre. Gjithçka është e rregulluar ligjërisht në një vendim të Këshillit të Ministrave, në muajin maj. Sipas vendimit me nr. 480 garantimi i sigurisë personale, familjes dhe pasurisë në rast rreziku vlen edhe për gjyqtarët e Apelit të Krimeve të Rënda. Ligji i propozuar nga Ministria e Drejtësisë, është vënë në zbatim vetëm pak ditë më parë, menjëherë pas publikimit të tij në Fletoren Zyrtare. Sipas ligjit të ri, shqyrtimi i kërkesës së gjyqtarit për mbrojtje të veçantë, do të bëhet nga një komision pesanëtarësh. Komisioni do të përbëhet nga një përfaqësues i KLD, një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë, një përfaqësues i Ministrisë së Brendshme, kryetari i Gjykatës, pranë së cilës ushtron detyrën gjyqtari, për të cilin kërkohet mbrojtje dhe një përfaqësues i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. "Kërkesa për mbrojtje i paraqitet KLD-së nga përfaqësuesi i Policisë së Shtetit ose përfaqësuesi i autorizuar prej tij, atëherë kur ka të dhëna të besueshme, që provojnë se një gjyqtari i rrezikohet jeta, familja ose prona", thuhet në një nga pikat e ligjit. Ndërsa vendimi i dalë nga ky komision përmban masat konkrete të mbrojtjes së veçantë, numrin e shoqëruesve personalë, si edhe masa të tjera që lidhen me mbrojtjen. Gjithashtu, ligji përmban edhe mënyrën e menaxhimit të efekteve financiare, që do të vijnë pas zbatimit të vendimit për mbrojtje. Projektligji për ligjin në fjalë u dërgua në qeveri për miratim rreth 4 muaj më parë.           ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›