E Diel, 1 Nëntor 2026

Familjarët e Konomit: Asnjë rezultat nga hetimi, nuk po na hipotekojnë pronën

Letra e hapur/ Familjarët e Skerdilajd Konomit shprehin dhimbjen për moszbulimin e së vërtetës dhe denoncojnë vështirësitë artificiale që po u krijohen me hipotekimin e pronës së fituar me gjyq në Hipotekën e Durrësit. “Si është e mundur që në Shqipëri nuk zbatohet as vendimi i Gjykatës së Lartë? Nuk e kuptojmë pse-në. Kush fshihet pas kësaj? Pse shteti vetë na nxjerr pengesa?”

Për familjarët e Skerdilajd Konomit, gjyqtarit të vrarë në qendër të Vlorës, çdo ditë që kalon duket sikur i largon nga e vërteta. Të mbetur pa njeriun e dashur, pa asnjë lajm shpresëdhënës nga hetimet dhe mes vështirësish artificiale për të regjistruar pronën e fituar me gjyq, familjarët e Konomit i drejtohen medias përmes një letre të hapur, me shpresën se do të “zgjojnë” kësisoj hetuesit e krimit të rëndë e vullnetin qeveritar. Në këtë letër, familjarët e Konomit ndajnë me opinionin publik shqetësimin për pengesat që u janë krijuar në hipotekën e Durrësit dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Hipotekave, për të regjistruar pronën e fituar në Gjykatën e Lartë, e për të cilën dyshohet se është vrarë edhe njeriu i tyre. MAPO boton të plotë letrën e familjarëve të Skerdilajd Konomit dhe shqetësimet e shprehura prej tyre, pak më shumë se dy muaj pas ekzekutimit mafioz në qendër të Vlorës.

Me anë të kësaj letre, Familja Konomi dëshiron t’u përditësojë me zhvillimet e fundit në lidhje me çështjen, akoma të hapur, të vrasjes së familjarit tonë të dashur dhe njëkohësisht edhe të procesit të hipotekimit të pronave. Kanë kaluar më shumë se dy muaj nga vrasja e Skerdilajdit, një funksionar i lartë i shtetit shqiptar, e megjithatë, familjes nuk i është transmetuar asnjë rezultat shpresëdhënës. Jemi të ndërgjegjshëm që hetimet kanë kohën e tyre, por megjithatë, pas çdo dite që kalon na duket sikur largohemi nga e vërteta. Kjo ide përforcohet edhe më shumë ndërsa përballemi me vështirësi të shumëllojshme dhe të panatyrshme në përpjekjet tona për të hipotekuar pronat që na përkasin me ligj, procedura të cilat zvarriten deri në pikën e skadencës së çdo afati ligjor. Si është e mundur që në Shqipëri nuk zbatohet as vendimi i Gjykatës së Lartë? Nuk e kuptojmë pse-në. Kush fshihet pas kësaj? Pse shteti vetë na nxjerr pengesa? Nuk e kuptojmë pse Drejtoria Rajonale e Hipotekave në Durrës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Hipotekave nuk duan të firmosin dokumentet, të cilat janë të rregullta ligjërisht dhe të njohura edhe nga Gjykata e Lartë. A nuk është ky një shembull i pashoq i abuzimit me pushtetin, në një kohë që dokumentet e palës kundërshtuese rezultuan se ishin totalisht të falsifikuara, ndonëse të regjistruara edhe në institucione si Arkivi i Shtetit? Avokatura e Shtetit dhe gjykatat vazhdojnë gjyqe mbi këto dokumente false të palës kundërshtare, ndërsa përpjekjet tona për hipotekim kanë dështuar dy herë deri tani. Të thyer nga dhimbja e humbjes së njeriut tonë të dashur, por edhe të indinjuar nga mungesa e seriozitetit dhe transparencës së organeve kompetente, familja Konomi e ka çdo ditë e më të vështirë të besojë që jetojmë në një vend ku mbretëron e vërteta dhe ligji e jo mashtrimi dhe mafia. Çdo ditë e më pak e ndjejmë mbështetjen ligjore që i takon çdo individi në mënyrë të barabartë. Kërkesa jonë për median, si një nga mundësitë e vetme për të sensibilizuar opinionin publik, por edhe vullnetin qeveritar, është të hetoni mbi këtë çështje dhe të ushtroni të gjithë presionin e mundshëm që ngjarje të tilla si hedhja në erë apo djegia e gjallë e zyrtarëve publikë të mos mbetet pa autorësi dhe pa ndëshkim, në mënyrë që në këtë vend të mos fuqizohet pushteti i mafies, por të rivendoset drejtësia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›