Llalla: Pasuritë e zyrtarëve të lartë fshihen jashtë vendit
Kryetari i Inspektoriatit të Pasurive, Adriatik Llalla, pohoi dje se ka të dhëna që disa zyrtarë të lartë i kanë fshehur pasuritë e tyre jashtë vendit. “Pasuritë e fshehura kryesisht në vendet e Europës Perëndimore janë llogari bankare, por edhe pasuri të paluajtshme apo asete të tjera”
Tiranë Kreu i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Adriatik Llalla, tha se një sërë zyrtarësh të nivelit të lartë dyshohet se fshehin pasurinë jashtë vendit. Pa dhënë detaje për numrin e zyrtarëve, shifrat apo emrat e tyre, Lalla tha se institucioni i drejtuar prej tij po heton disa denoncime të mbërritura pranë këtij institucioni. Në përfundim të takimit me përfaqësues të misionit “PAMECA”, kreu i ILKDP-së konfirmoi se rastet e denoncuara u përkasin kryesisht zyrtarëve të niveleve të larta, por pas nuk mbeten as zyrtarë të niveleve më të ulëta, të cilët kanë si detyrim deklarimin e pasurisë. Pasuritë e fshehura kryesisht në vendet e Europës Perëndimore janë llogari bankare, por edhe pasuri të paluajtshme apo asete të tjera. Hetimi i këtyre rasteve, sipas Llallës, mbetet i vështirë, pasi mënyra e transferimit të parave është sofistikuar nga ana e personave që kryejnë këto afera. Gjatë deklaratës së tij, kreu i ILDKP, Adriatik Llalla, ka pranuar se bëhet fjalë për zyrtarë në nivel ministrash dhe zv.ministrash, por pa dashur të japë emra, apo shifra konkrete. “Informacione ka për zyrtarë të niveleve të larta kryesisht, por këtu nuk përjashtohen zyrtarë të niveleve të tjera, që janë subjekte deklaruese pranë institucionit tonë”- tha Llalla. Sipas tij, denoncimet për raste të tilla janë të shumta, por të gjitha kërkojnë një proces verifikimi dhe hetimi, i cili mbetet i vështirë për vetë natyrën që ka ky aktivitet. “Pranë institucionit tonë vijnë informacione të shumta lidhur me dyshimet se zyrtarë të ndryshëm fshehin pasurinë jashtë vendit”- deklaroi kreu i ILKDP-së. Llalla tha se për të gjitha rastet e dyshuara, që janë në proces verifikimi nga ana e institucionit që ai drejton, do të ketë bashkëpunim me misionin policor “PAMECA”. “Në bashkëpunim me misionin “PAMECA” jemi duke verifikuar këto raste, kryesisht në vendet e Europës Perëndimore”- tha Llalla. Sipas tij, zyrtarët kanë arritur të sofistikojnë dërgimin e transfertave jashtë vendit, duke sjellë vështirësi në identifikimin e tyre, si pasojë e mungesës së kapaciteteve dhe mundësive të kufizuara të hetimit të rasteve të tilla nga ky institucion. Deklarata e kreut të ILKDP-së pason deklaratën e bërë nga kreu i Drejtorisë Kundër Pastrimit të Parave, Arben Doçi. Pak kohë më parë, Doçi tha se i janë referuar organit të akuzës të paktën tetë politikanë dhe zyrtarë të niveleve të larta, të cilët dyshohen për pastrim parash. Por në deklaratën e tij, z.Doçi nuk pranoi të japë detaje apo emrat e personave të denoncuar, sipas tij, për shkak të sekretit hetimor që kanë këto çështje. Por kur kanë kaluar disa muaj nga kjo deklaratë, ende nuk ka një përgjigje nga institucionet ligjzbatuese nëse ka një hetim të tillë për politikanë të dyshuar për pastrim parash. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me kreun e ILDKP-së, i cili nuk pranoi të japë detaje rreth identitetit të zyrtarëve të lartë, të dyshuar për fshehje të pasurisë jashtë vendit, madje as shifrat të cilat dyshohet se janë transferuar jashtë Shqipërisë.