Familjarët e Otrantos, të hënën tubim para konsullatës italiane

Kanë kaluar shumë vite, por dhimbja vazhdon të rëndojë njësoj në zemrat e tyre. Është pikërisht kjo dhimbje, që nxit familjarët e tragjedisë së Otrantos duke përsëripur apelin e tyre për vendosjen e drejtësisë së shumëkërkuar në kujtim të ditës së sjelljes së trupave në vendlindje. Kryetarja e shoqatës e të mbyturve në kanalin e Otrantos, Pushime Çala në një konferencë për shtyp ka lajmëruar protesta para konsullatës italiane, ndërsa ka theksuar se përpjekjet për të marrë drejtësinë e merituar nuk do të mungojnë. Familjarët e viktimave të Otrantos u kanë bërë thirrje edhe qytetarëve të Vlorës që të japin mbështetje duke u bashkuar në një tubim para konsullatës ditën e hënë.
Tragjedia e rëndë ndodhi në 28 Mars të vitit 1997. Anija shqiptare "Katri i Rades" me 120 persona ne bord kishte arritur të hynte në ujerat territoriale italiane, por pak pasi i ishte afruar brigjeve të Otrantos në Itali, u perplas me anijen luftarake italiane, "Sibilla". Anija u përmbys dhe bashkë me të, humbën jetën të pakten 84 shtetas shqiptarë, mes të cilëve gra e fëmijë. Në trazirat e `97, tragjedia e Otrantos është cilësuar si ngjarja më e rëndë që preku shumë familje vlonjate dhe qytete të tjera. Pas hapjes së depove të armëve shkatërrimit të shumë institucioneve, dështimit të firmave piramidale shumë persona tentuan të largohen nga atdheu nëpërmjet detit për të siguruar një jetë e të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre.