E Diel, 1 Nëntor 2026

Familjarët e Remzi Hoxhës: 14 vjet në pritje të një varri…

"A ka drejtësi në Shqipëri?". "Jemi në pritje të një varri, ku e kam vëllain?". Këto kanë qenë parullat që mbanin në duar të afërmit e Remzi Hoxhës, biznesmenit që është zhdukur në vitin 1995 në Shqipëri, në një protestë para Gjykatës së Krimeve të Rënda. Ardian Hoxha, djali i madh i Remziut, deklaroi se kërkon vetëm drejtësi dhe asgjë më tepër, ndërsa shtoi se çështja, megjithëse me katër të pandehur, nuk po gjen ende zgjidhje. Ai tha se drejtësia të gjejë të paktën vetëm eshtrat e babait të tij pasi koha e gjatë e zhdukjes nuk i lë tjetër mundësi. "E kemi përmbajtur veten që të mos ta turpërojmë shtetin shqiptar para botës se jemi shqiptarë, por kemi të bëjmë me të dashurin tonë dhe nuk do të ndalemi. Të na dorëzohen eshtrat e babait", ka qenë thirrja e Ardianit në përvjetorin e 14 të zhdukjes, duke i bërë një tjetër thirrje autoriteteve të drejtësisë shqiptare.

Protesta

Rreth 50 persona, kryesisht familjarë, miq dhe dashamirës të të ndjerit Remzi Hoxha, u mblodhën dje para Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë, me rastin e 14-vjetorit të zhdukjes. Me parulla në duar ata kërkonin që shteti shqiptar të zbardhë rrëmbimin e të afërmit të tyre. Ata u mblodhën në shenjë proteste ndaj çështjes e cila nuk po gjen zgjidhje prej vitesh. Protesta u zhvillua pasi çështja rezulton e pazbardhur për autoritetet e drejtësisë, me gjithë seancat maratonë dhe procesin e zgjatur me vite me radhë. "Ne si familje jemi shumë të zhgënjyer nga drejtësia, që kjo çështje është stërzgjatur. Ne presim që të paktën të gjejnë trupin e babait tim", ka pohuar Ardian Hoxha, djali i biznesmenit shqiptaro-maqedonas. Sipas tij, familjarët e Remzi Hoxhës ndihen të zhgënjyer pasi shteti nuk po tregon vëmendje ndaj kësaj çështjeje dhe shton se nëse nuk e gjejnë zgjidhjen prej tij, do të detyrohen të shkojnë në Strasburg. Një fakt të tillë e pohoi edhe vëllai i Remziut, Nexhmedin Hoxha. "Neve na mungon Remziu dhe kjo ditë, na bën që të shprehim indinjatën dhe zhgënjimet tona në këtë periudhë 14-vjeçare që nuk duam të përsëriten në asnjë mënyrë", tha Nexhmedini, duke shtuar se familjarët e të ndjerit kanë ende një shpresë se drejtësia do t‘i shkojë deri në fund çështjes dhe nuk duan që të jenë të huajt ata që do ta zgjidhin atë, por vetë institucionet shqiptare.

Gjyqi

Kur kanë kaluar 14 vjet nga rrëmbimi i Remzi Hoxhës, Ziso Kristopulit dhe Avdyl Loshajt, ende drejtësia shqiptare nuk ka ndëshkuar asnjë person, megjithëse në bankën e të akuzuarve janë ulur ish-punonjës të Shërbimit Inteligjent Shqiptar. Për çdo ditë të martë, në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, për një periudhë njëvjeçare, po vazhdon gjyqi me të pandehur Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Ilir Kumbaro, të cilët akuzohen për rrëmbim personi. E ndërsa familjarët e Remzi Hoxhës po protestonin para dyerve të Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë, brenda mjediseve të saj u zhvillua seanca e radhës për çështjen në fjalë. Gjykata kishte vendosur të thërriste një dëshmitar, cili ishte pyetur në vitin 2001, kur ishin bërë hetime nga Prokuroria e Tiranës, por nga verifikimet e tanishme ka rezultuar se Ylli Xhaxhika kishte ndërruar jetë. Sipas prokurorisë, ky dëshmitar ka qenë punonjës i SHIK-ut dhe ka pasur dijeni për rrëmbimin e tre personave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›