Familjarët e viktimave, predhë e tufë me lule Ina Ramës
Gërdeci
Që prej kohës së kallëzimit të depozituar prej tyre për ish- ministrin Mediu, ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje
TIRANË- Me një tufë lulesh në njërën dorë dhe me një copë predhë të shpërthyer në dorën tjetër, Zamira Durda, një nga nënat që humbën fëmijet e tyre në e Gërdect, mbërriti dje para Prokurorisë së Përgjithshme.
Gruaja që ka humbur djalin e saj 6- vjeçar në Gërdec, kërkonte të mësonte mbi fatin e kallëzimit penal ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, e depozituar prej saj e 25 familjarëve të tjerë.
Ndërkohë, lulet dhe predha e mbështjellë me qese najloni dhe zbukurues ishte destinuar nga nëna e 6- vjeçarit si dhuratë për "punën e shkëlqyer" të kryeprokurores Ina Rama mbi hetimin e dosjes "Gërdeci".
Lulet dhe predhat të mbështjella sipas Zamira Durdës, simbolizonin djalin e saj 6- vjeçar të vdekur dhe shpërthimin tragjik të ndodhur në fshatin Gërdec, në ish-repartin e tankeve e transformuar në punishte demontimi municioni.
Pas katër orë qëndrimi në shkallët e prokurorisë, familjarët e disa viktimave të tragjedisë u pritën nga Drejtori i Hetimit, Sokol Stojani, i njohur edhe si "kryehetuesi" i kësaj çështjeje.
Kërkesa e Durdës për takim me kryeprokuroren Rama nuk u realizua, pasi Rama kishte axhendën e ngjeshur e nuk mund të merrte takim, edhe pse është parë të hynte e dilte shpesh nga godina e institucionit që drejton. Prokurori Stojani i siguroi familjarët e se po punohej mbi kallëzimin, e për këtë punë do t'iu përgjigjej me shkrim.
"Kanë nisur veprimet hetimore për kallëzimin tuaj, por na kuptoni se duhet kohë në mënyrë që edhe ne të bëjmë më të mirën që kemi mundësi sipas ligjit",-mësohet të ketë thënë prokurori Stojani.
Edhe pse vetë kryeprokurorja Ina Rama ka lëshuar një urdhër të brendshëm për t'i kthyer përgjigje palëve për çdo kallëzim brenda 20 ditësh, në këtë rast ky afat ka kaluar dhe ende nuk dihet se ç'ka ndodhur me këtë denoncim.
Kallëzimi i familjeve të Gërdeci, është depozituar më 8 tetor të këtij viti, dhe është firmosur nga 26 familjarë të viktimave të kësaj tragjedie, ku kërkohet rihapja e hetimit për Mediun. Ky denoncim erdhi pasi Gjykata e Lartë vendosi pushimin e procedimit ndaj ish- ministrit të Mbrojtjes, pas fitimit të imunitetit në zgjedhjet e qershorit.
Nëna e 6 vjeçarit të vrarë, përsëriti disa herë dje se kërkon të dërgojë drejtësinë për të birin në vend nëpërmjet institucioneve shtetërore. "Kësaj radhe erdha me predhë të shpërthyer në dorë, por po të jetë nevoja do të shkoj nëpër institucione me predha të paplasura për të kërkuar drejtësi për djalin tim, që nuk jeton më",- përfundoi me lot në sy Zamira Durda.