E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuza, përpjekje për të rihapur çështjen “Mediu”

10/11/2009  Lule dhe predha për Ina Ramën

TIRANE- Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur të verifikojë një sërë dokumentesh, në mënyrë që të plotësojë, kallëzimin e bërë ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nga të afërmit e viktimave të vrarë në punishten e Gërdecit. Një gjë e tillë bëhet me dije nga burime pranë këtij organi, të cilët sqaruan se gjatë kësaj periudhe grupi hetimor është impenjuar maksimalisht, për rishikimin e akteve hetimore, nga të cilat pritet të konstatohen edhe shkeljet e kryera nga ministri Fatmir Mediu. Nisur nga kjo situatë, nënkuptohet se organi i akuzës po bën përpjekjet maksimale për regjistrimin e procedimit penal dhe rifillimin e hetimeve ndaj Mediut. Kjo gjë nuk konfirmohet zyrtarisht nga Prokuroria, por burime pranë grupit hetimor thanë se në qoftë se do të gjenden hapësira, që iniciojnë rihapjen e hetimeve, atëherë kjo do të ndodhë menjëherë. Ndërkohë një muaj pas dorëzimit në Prokurorinë e Përgjithshme të kallëzimit për rihetimin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, familjarët e viktimave i kanë “zënë derën” Kryeprokurores Ina Rama me qëllim që kjo e fundit t’i njohë ata lidhur me fatin e kallëzimit të kryer më 8 tetor. Me një tufë lule në njërën dorë dhe me një copë predhë në dorën tjetër, Zamira Durda, nëna që humbi djalin e saj 7-vjeçar, Edisonin, në tragjedinë e Gërdecit ka shkuar në Prokurorinë e Përgjithshme të mësojë mbi fatin e padisë së saj penale ndaj ish-ministrit te mbrojtjes, që aktualisht është ministër i Mjedisit. Në shoqërinë e tre grave të tjera, Zamira i ka kërkuar takim Kryeprokurores Ina Rama, e cila nuk i ka dhënë “ok” kërkesës së tyre, por ka preferuar që të largohet nga zyra e saj. Të bindur në kërkesën e tyre, katër gratë kanë vazhduar të qëndrojnë në pritje, gjatë gjithë ditës. Prokurori i çështjes “Gërdeci”, Sokol Stojani, ka marrë dijeni për kërkesën dhe rreth orës 15:30 ka kryer një takim me Zamira Durdaj, të cilën mësohet se e ka informuar lidhur me veprimet procedurale dhe hetimore që kanë kryer për plotësimin e kallëzimit penal. Mësohet se ai nuk konfirmoi zyrtarisht për regjistrimin e procedimit penal, por në të njëjtën kohë nuk u shpreh për pushimin e kallëzimit penal të depozituar nga familjarët e viktimave të vrarë në fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec të Vorës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›