E Diel, 1 Nëntor 2026

Taçi: Nuk godita Bazen, u mundova të ndaj sherrin

10/11/2009  “Dy të ndaluarit nuk janë bodigardët e mi, Mero Baze goditi me tavëll Irgisin”

TIRANE-Rezart Taçi, biznesmeni i njohur që dyshohet se ka rrahur gazetarin Mero Baze, ka hequr nga supet përgjegjësinë, duke deklaruar përpara hetuesve se dy personat e arrestuar nuk janë bodigardët e tij, por ata punojnë në Departamentin e Shitjeve, pranë kompanisë “Taçi Oil”. Ai ka treguar se mbrëmjen e 2 nëntorit ishte duke u relaksuar në lokalin ku ndodhi ngjarja. Në tavolinë me të ishin të pranishëm edhe disa persona të tjerë, të cilët kanë dhënë dëshminë e tyre për organet ligjzbatuese. Në një kohë kur akrepat e orës kishin kaluar 10, si dhe kur ambientet e lokalit ishin të mbushura plot me klientë, ka ndodhur një sherr, ku si pasojë e të cilit shumë njerëz filluan të bërtisnin dhe largoheshin. “Pikërisht në këtë moment, pata kureshtjen të afrohem dhe të shikoj se çfarë bëhej. Menjëherë kam arritur të dalloj se protagonistë të këtij sherri ishin dy punonjës të kompanisë time, të cilët shërbejnë pranë Departamentit të Shitjeve në “Taçi Oil”. Theksoj se këta persona nuk janë bodigardët e mi, pasi Bledari punon si shef pranë këtij departamenti ndërsa Irgeni punon si shofer”,- është shprehur biznesmeni Rezart Taçi. Më tej ky i fundit ka shtuar se kur i ka parë dy personat e sipërcituar duke u përleshur me gazetarin Mero Baze, ka ndërhyrë duke tentuar të ndajë sherrin. Përpara oficerëve dhe prokurorit të çështjes, Taçi është shprehur se për një moment ka arritur të shkëpusë dy nëpunësit e tij nga sherri, por papritur Irgen Selfo është rikthyer sërish duke e goditur me grusht gazetarin Mero Baze. Ndërkohë pas marrjes së deklarimeve të pronarit të ARMO-s dhe një sërë bizneseve të tjera Rezart Taçit, Prokuroria ka administruar në dosje edhe aktin e ekspertizës mjeko-ligjore të kryer nga specialistët e Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë. Mësohet se në të tregohen qartë dëmtimet e Bazes, të cilat janë shkaktuar nga goditjet. “Pas analizimit të të dhënave, ne specialistët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, konstatuam se shtetasi Mero Baze, ka dëmtime të tjera me dashje, me raport 9-ditor”,-thuhet në akt-ekspertizën e mjekëve. Lidhur me këtë konkluzion Prokuroria nuk e ka kualifikuar ngjarjen si plagosje, pasi kjo e fundit me terma juridikë konsiderohet me raport nëntë ditor. Aktualisht biznesmeni Rezart Taçi është izoluar në ambientet e burgut 302, ku pritet që në ditët në vazhdim të dalë përpara Gjykatës së Apelit, në të cilën kërkon rrëzimin e masës së sigurisë “arrest në burg” të vendosur nga gjyqtarja Farije Budo.

Apelimi i vendimit të Farije Budos

Pas refuzimit të 100 mijë eurove dhe lënies në fuqi të masës “arrest në burg” për Rezart Taçin, dy avokatët e tij Maks Haxhia dhe Artan Hajdari, kanë apeluar vendimin në Gjykatën e Apelit. Në kërkesën drejtuar kësaj gjykate, avokatët kërkojnë zbutjen e masës së sigurimit, për arsye se klienti i tyre nuk shfaq rrezikshmëri në shoqëri, si dhe gjatë kohës së qëndrimit në burg, biznesi i tij ka humbje të konsiderueshme financiare. Mësohet se përpara gjykatës, avokatët do të paraqesin dëshmi të personave që kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes.

Baze goditi me tavëll

Avokati Haxhia, ka thënë në gjykatë, se sherri midis dy punonjësve të kompanisë “Taçi Oil” dhe gazetarit Mero Baze, ka lindur si pasojë e provokimeve të këtij të fundit. Mësohet se pas shkëmbimit të fjalëve të ndërsjella, Baze ka qëlluar me një tavëll duhani, shtetasin Irgen Selfo. Si pasojë e kësaj, Selfo ka marrë një plagë të lehtë në buzë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›