Familjarët e viktimave të 21 janarit letër Arvizu: Të vihet drejtësia
Familjarët e viktimave të 21 janarit përmes një letre drejtuar ambasadorit të SHBA-së në Tiranë Aleksandër Arvizu që të nxisë zbardhjen e ngjarjes dhe gjykimit të fajtorëve. Në letrën e tyre familjatët theksojnë se nuk ka pasur hetime të stërholluara për të provuar se garda hapi zjarr ndaj popullit në kundërshtim flagrant me ligjin kur sipas tyre s`kishte nevojë ta bënte një gjë të tillë.
“Vrasjet e 21 janarit lindën të zbardhura, të filmuara, në sytë e gjithë botës. Vrasjet lindën të qarta, por për fat të keq janë bërë dhe bëhen përpjekje për t`i turbulluar rrugës me qëllim që e vërteta të mos dalë kurrë. Ne kemi bindjen se ju dhe vendi juaj nuk mund të pajtoheni në asnjë mënyrë me zvarritjen, mjergullimin dhe dështimin e këtyre hetimeve” thuhet në letër.
Në letrën e tyre, familjarët e viktimave të 21 janarit shprehin bindjen se ambasadori Arvizu nuk do të qëndrojë indiferent dhe nuk do të pajtohet me veprimet e paligjshme të minipulimit dhe zhdukjes së provave duke filluar nga mosdorëzimi në kohë i armëve të cilat hapën zjarr në drejtim të demonstruesve e deri në fshirjen e pamjeve filmike nga serveri i kryeministrisë
“Ne kemi bindjen se ju dhe vendi juaj nuk jeni indiferent ndaj deklaratave shqetësuse që ka bërë prokurorja e përgjithshme Ina Rama në lidhje me presionet dhe pengesat që ka haspur prokuroria në këtë hetim. Institucionet shqiptare duhet të tregojnë pavarësi dhe guxim në punën e tyre, por ato kanë nevojë për mbështetje dhe inkurajimin tuaj për zbatimin e ligjit pa marrë parasysh se kush preket nga zbatimi i tij” thuhet më tej në letër.
"Nuk do të kemi paqe dhe qetësi të vërtetë në Shqipëria pa u vënë drejtësia për vrasjet e 21 janarit. Drejtësia për 21 janarin është më shumë se një çështje personale e jona. Është një çështje të funksionimit ose jo të shtetit ligjor në Shqipëri" theksohet në letër.