Familjarët e viktimave të Gërdecit: Jeta e njerëzve të thjeshtë për institucionet është e pavlerë
Familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit kanë reaguar sot në lidhje me vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila nuk dha asnjë burg të përjetshëm për të pandehurit e kësaj tragjedie. Në një deklaratë për shtyp familjarët e viktimave të Gërdecit theksojnë se më këtë vendim drejtësia është e dështuar.
“Sot gjithkush mund të vrasë për shkak të fitimeve të veta dhe precedenti tregon se nuk do të dënohet në masën e duhur. Eksperienca nga ky vendim tregoi se “jeta” për institucionet është e pavlerë, kur bëhet fjalë për njerëzit e thjeshtë. Me këtë vendim, drejtësia nuk ishte vetëm e vonuar, por në njëjtën kohë dhe e dështuar, theksojnë në deklaratën e tyre ata.
Familjarët gjithashtu theksojnë se sot pas 4 vitesh seancash maratonë të sistemit të drejtësisë, ngeli ende enigmë se cili i vrau 26 të dashurit e tyre.
“Dhënia e vendimit shkaktoi tek ne si të dëmtuar drejtpërdrejtë nga shpërthimi, dhimbje të njëjtë me atë të vetë ngjarjes. Në u përballëm me vrasje në masë dhe si e tillë duhet të ishte gjykim në masë ndaj këtij krimi që na u shkaktua. Autorët e krimit ose nuk u gjykuan, si në rastin e Fatmir Mediut, ose nuk u dënuan për krimin kryesor, atij të vrasjes së 26 personave të pafajshëm. Ne kemi 4 vite që zgjohemi pa të dashurit tanë, por që nesër jemi të bindur se po zgjohemi të gjithë si shqiptar pa institucione shtetërore. Ky krim i shëmtuar i përket të gjithëve, kanë theksuar më tej ata.