Sarkozy mori nga Gaddafi 50 milion euro për fushatën e tij në vitin 2007
Nicolas Sarkozy mori mbi 50 milion euro nga kolonel Gaddafi për të financuar fushatën e tij për president të Francës. Kështu pretendon një media investigative e njohur në Francë.
Mediapart ka publikuar një sërë shënimesh qeveritare, njëri prej tyre i 6 tetorit 2005. Në atë kohë Sarkozy ishte një Ministër i Brendshëm ambicioz, që po mblidhte para për fushatën e tij presidenciale.
Mediapart pretendon se shuma prej 50 milion euros ishte derdhur përmes llogarive bankare në Panama e Zvicër.
Llogaria në Zvicër ishte hapur në emër të motrës së Jean-Francois Cope, lider i partisë së zotit Sarkozy dhe krahu i djathtë i tij.
Paratë u derdhën përmes një trafikanti armësh të quajtur Ziad Takieddine, që vepron si ndërmjetës mes despotëve arabë dhe politikanëve francezë.
Zbulimi i fakteve të tilla vjen pasi djali dhe trashëgimtari i Gaddafi-t, Saifi, kishte deklaruar qartë se babai i tij ka financuar fushatën e Sarkozy. Sarkozy duhet të na kthejë paratë që na ka marrë për të financuar fushatën e tij elektorale, pati thënë ai.