E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesmeni i familjes Berisha nënshkruan me Bashën për parkingun nëntokësor

Share

Lulzim Basha e Bashkim Ulaj

Marrëveshja nuk ka kaluar në Këshillin Bashkiak ku kërkon 3/5 e votave

Projekti për ndërtimin e një parkimi nëntokësor në Sheshin Italia daton që në vitin 2008 kur vetë qeveria vendosi ti japë të drejtën bashkisë së Tiranës të japë me koncesion parkingjet nëntokësore në dy pika në Tiranë. Projektet u zvarritën dhe së fundmi është vendosur që parking nëntokësor të ketë vetëm në një pikë, në Sheshin Italia, ku fitues i projektit është shpallur Bashkim Ulaj, biznesmen i familjes Berisha. Të hënën Ulaj u shfaq krah Lulzim Bashës dhe nënshkroi marrëveshjen për koncesionin e parkingut nëntokësor, duke deklaruar se ky është një premtim i mbajtur i Bashës. Ju falenderoj për konkretizimin e këtij projekti, që edhe ne si investitorë e konsiderojmë shumë të rëndësishëm për qytetin e Tiranës. Besoj që është një ndër projektet e rëndësishme që ka të bëjë me zhvillimin urban të qytetit dhe përsëri ju falenderoj se jeni në vazhdimësi të premtimeve që ju keni dhënë që në momentin e fushatës, as më shumë e as më pak pjesën tjetër, Z.Basha e citoi para jush. Jam i kënaqur që jam sot për të firmosur këtë kontratë, realizimi i së cilës do të jetë shumë i shpejtë dhe brenda të gjithë parametrave e standarteve që koha sot kërkon, tha Ulaj, biznesmeni që nuk para shfaqet para mediave dhe që fundmi ishte në qendër të një skandali për marrjen e monopolit për shtrimin e rrjetit të fibrave optike.

Ulaj, i cili në kohën kur LSI ishte në opozitë, sulmohej si biznesmen i familjes Berisha, do ndërtojë një parking që do zërë rreth 1 mijë automjete. Parkimi zë një sipërfaqe prej afro 9 mijë metra katrorë. Ajo do të shtrihet në katër nivele nëntokësore dhe do të ketë hapësirë parkimi për 1000 automjete. Vlera e investimit është rreth 1.6 miliardë lekë dhe realizimi i saj do të bëhet brenda një viti, nga dita e nisjes së punimeve.

Por e paqartë është sërish mënyra se si miratohet ky projekt, për shkak se votimi në Këshillin Bashkiak kërkonte 3/5 e votave. Diçka e tillë nuk u arrit në mbledhjen e radhës. Tani Basha thotë se të drejtën e kontratës e ka ai. Berisha foli për një vendim të Këshillit Bashkiak të kaluar, çka e mjegullon edhe më shumë situatën.

Është zgjidhur plotësisht sipas ligjit. Është e vërtetë që paraqitja e plotë e dokumentit në Këshill Bashkiak ishte në tejkalim të kompetencave të Këshillit Bashkiak. Këshilli Bashkiak tashmë e ka dhënë aprovimin e tij, në një fazë paraprake, ka qenë Këshilli i kaluar Bashkiak, i cili me propozim të administratës së kaluar ka miratuar tarifat, ndërsa pjesa tjetër e vendimmarrjes deri në nënshkrimin e kësaj kontrate, sipas mendimit të Prefektit dhe sipas mendimit të ATRAKO-s, që është (Agjencia Kombëtare e Konçesioneve) kryhet midis administratës, Kryetarit të Bashkisë dhe palës konçesionare dhe kjo është mënyra se si është proceduar ligjërisht, tha Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›