Familjaret e viktimave te Gerdecit kerkojne demshperblim
Familjarët e viktimave të Gërdecit vazhdojnë të enden sa në një institucion në tjetrin për dëmshpërblimin e ngjarjes së 15 marsit të vitit 2008. Megjithëse kanë kaluar më shumë se dy vjet e gjysmë nga shpërthimi tragjik që mori 26 jetë njerëzish dhe plagosi qindra të tjerë, ende familjarët e këtyre viktimave nuk kanë marrë dëmshpërblim për jetët e humbura. Ministria e Mbrojtjes i është përgjigjur negativisht kërkesës për dëmshpërblim në masën 360 milionë lekë. Më parë, gjykatat kanë vendosur pezullimin e të gjitha proceseve civile, pasi procesi penal po zvarritet pafundësisht. Tashmë familjarët i janë drejtuar me një letër Këshillit të Ministrave, ku kërkojnë që të dëmshpërblehen. Në një njoftim për shtyp, shoqata e trashëgimtarëve ligjore të viktimave nga tragjedia e Gërdecit thotë se: “Në muajin tetor 2010 i ka paraqitur një kërkesë fillestare Ministrisë së Mbrojtjes Shqiptare, me objektin ‘Dëmshpërblimin në shumën totale prej 360 milionë lekësh për humbjen e jetës së viktimave. Ministria e Mbrojtjes, me anë të një shkrese të komunikuar tek kërkuesit më 10.11.2010, ka kthyer një përgjigje negative, duke mos e pranuar atë, me justifikimin se kjo kërkesë është paraqitur edhe më parë dhe ka marrë një herë përgjigje nga ana e tyre. Në këtë mënyrë, Ministria e Mbrojtjes, duke mos e marrë seriozisht rëndësinë e situatës, është përgjigjur me indiferencë, pa e shoqëruar me asnjë sqarim tjetër”.
Sipas tyre, në një kërkesë të bërë nga kërkuesit më parë kërkohej anulimi i disa akteve administrative, ndërsa kërkesa e dytë ka të bëjë drejtpërsëdrejti me dëmshpërblimin e kërkuesve. Këto dy kërkesa kanë vërtet lidhje me të njëjtën ngjarje, por juridikisht janë të ndryshme. “Papërgjegjshmëria e ministrit të Mbrojtjes bëri që ky institucion të mos thellohej fare për të kuptuar se gjendej para një kërkese të re dhe të ndryshme nga e para. Duke parë këtë indiference, familjarët e viktimave të shpërthimit të Gërdecit i janë drejtuar së fundmi Këshillit të Ministrave, si organ epror, duke shpresuar nga ky i fundit se do të ketë vëmendje më të madhe në leximin dhe hartimin e një përgjigjeje serioze për kërkesën e mësipërme, të bazuar në ligjin shqiptar dhe në marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara nga Republika e Shqipërisë”, - vijon njoftimi.
Ata pretendojnë Ministria e Mbrojtjes dhe organizmat që varen prej saj janë përgjegjëse, sepse ato duhej të administronin licencimin, konstituimin, operacionet, sigurinë dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së demontimit, duke detyruar të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces që të merrnin masa praktike për të siguruar mbrojtjen efektive të qytetarëve, jetët e të cilëve mund të rrezikohen, ashtu siç u verifikuar në 15 mars 2008. Më pas vijojnë se, “Ministria e Mbrojtjes është përgjegjëse, sepse duhej të merrte të gjitha masat e arsyeshme dhe të përshtatshme sipas rrethanave, për të shmangur ose zbutur sado që të ishte e mundur çdo rrezik potencial për jetën, por në realitet ajo dështoi në marrjen e të gjitha këtyre masave të nevojshme për shmangien e humbjes së jetës, duke qenë kështu drejtpërsëdrejti përgjegjëse për vdekjet e ndodhura”.