Ina Rama takon ambasadorin e SHBA
Kryeprokurorja Ina Rama ka pritur dje ambasadorin e SHBA-ve në Shqipëri, z. Aleksandër Arvizu duke e uruar për detyrën e re. Rama bëri një pasqyrë të punës dhe paraqiti prioritetet e Prokurorisë, që është fokusuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit financiar. Më pas u ndal tek mbështetja e ambasadës së SHBA-ve për institucionin e Prokurorisë, nëpërmjet zyrës së UPDAT dhe Programit të Sfidës së Mijëvjeçarit. Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Arvizu, vlerësoi hapat e Shqipërisë në proceset e integrimit si dhe rolin e prokurorisë në rritjen e performancës së vendit.
Ambasadori Arvizu u shpreh se e njeh rolin dhe peshën e Prokurorisë, çka e bën këtë institucion një partner të besueshëm dhe theksoi mbështetjen për institucionet e zbatimit të ligjit në Shqipëri.