Vjedhin dyqanin me armë, vihen në pranga nga policia
Roland Stafa 24 vjeç dhe Gentian Hysa 20 vjeç janë arrestuar mëngjesin djeshëm nga efektiva të policisë së komisariatit të Shijakut
DURRËS Dy persona, banorë të fshatit Shetel në bashkinë e Shijakut, kanë rënë në pranga pas një grabitjeje të kryer me armë zjarri në një dyqan të zonës ku banonin. Roland Stafa 24 vjeç dhe Gentian Hysa 20 vjeç janë arrestuar mëngjesin djeshëm nga efektiva të policisë së komisariatit të Shijakut në bashkëpunim me atë të Durrësit. Të dy personat e mësipërm akuzohen se kanë grabitur me armë dyqanin e shtetasit me iniciale H.N. në fshatin Gjepalaj të Shijakut, që është edhe qendra e komunës me të njëjtin emër. Grabitja ka ndodhur tri ditë më parë dhe të dy personat kanë përdorur armë për të kërcënuar pronarin e dyqanit, ku më pas kanë mundur të marrin shpejt e shpejt çfarë kanë gjetur nga sendet më me vlerë, si dhe ato pak të holla që ka pasur në arkën e dyqanit. Burimet e policisë së Durrësit kanë bërë të ditur se grabitja është kryer nga personat e mësipërm, të cilët kanë qenë të maskuar. Pas grabitjes, ata janë ndjekur nga persona të afërm të pronarit të dyqanit si dhe vetë ky i fundit. Duke ikur rrugës për t’u fshehur në drejtim të fshatit të tyre, ata kanë ndërruar drejtim dhe në fshatin Kënetë, i cili është po në atë zonë, kanë kërcënuar një person që ishte duke udhëtuar me një motoçikletë tip Yamaha. Ata kanë qëlluar në ajër për ta detyruar pronarin e motoçikletës për ta lënë atë të lirë për arratinë e tyre. Duke marrë motoçikletën, të dy të rinjtë janë larguar menjëherë nga fshati Kënetë dhe për pak kohë kanë mundur të fshihen duke iu shmangur uniformave blu. Efektiva të shumta të policisë kanë punuar në terren duke marrë në pyetje edhe banorë të zonës, ndërkohë që falë këtyre deponimeve është bërë e mundur që të zbardhen identiteti i të dy personave që kanë kryer grabitjen. Të dy personat janë identifikuar dhe vënë në pranga në fshatin Kënetë, pa mundur që të shkojnë në fshatin e tyre Shetel, i cili është mjaft afër me këtë të fundit. Pas arrestimit të tyre, prokuroria u ka komunikuar vendimin e arrestimit në flagrancë për veprën penale të vjedhjes së pronës me armë.
Aleks Kalemasi