Familjarët, homazhe në breg të detit
Shuhen shpresat për gjetjen e trupit të 20-vjeçarit Ernest Allanjaku, i cili u zhduk të dielën në detin e Semanit, pas një furtune. Palombarët kanë ndërprerë kërkimet në thellësi të detit, në orët e vona të mbrëmjes të së martës dhe tashmë do të kërkohet vetëm me varka. Ndonëse për kërkimin e trupit pa jetë të riut nga fshati Plyk, u angazhuan edhe palombarë nga Kapitaneria e Vlorës dhe ajo e Durrësit, kërkimet nuk kanë dhënë rezultat. Operacioni ka vazhduar deri në orën 21.00 të mbrëmjes të së martës dhe është kërkuar në pjesë të ndryshme të plazhit të Semanit, duke arritur të kontrollohet edhe përtej kufijve të kësaj zone. Pas konsultimit përfundimtar të mbrëmjes së të martës është vendosur që kërkimet me palombarë të ndërpriteshin dhe tashmë të hyhet në fazën e kontrollit sipërfaqësor të detit. Kontrolli ka nisur që nga plazhi i Semanit, për të shkuar deri në afërsi të Pishporos, duke kaluar më parë në plazhin e Darëzezës. Ndërkohë, familjarët e të riut fatkeq kanë shkuar mëngjesin e së mërkurës në plazhin e Semanit, ku kanë kryer homazhe në brigjet e detit. Mes lotësh ata kanë hedhur lule në det në kujtim të 20-vjeçarit. Ata kanë pohuar se "në rast se nuk arrihet që trupi i Ernestit të nxirret nga deti, të gjitha ceremonitë përkujtimore do t‘i organizojmë në breg të detit". Të afërmit nuk i janë shkëputur plazhit të Semanit deri pasditen e së mërkurës.