E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH zhgënjen biznesin, nuk e ul interesin bazë

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi dje të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në ekonominë shqiptare, duke argumentuar se niveli aktual është një balancë e mirë mes nevojës për të kursyer dhe nevojës për të konsumuar. Niveli prej 5.75 për qind i vlefshëm për marrëveshjet e riblerjes me maturim njëjavor, shërben si normë referuese interesi për kreditë, depozitat dhe borxhin publik të vendit. Teorikisht, rritja e saj e bën lekun më të shtrenjtë dhe anasjelltas. Shumë biznese patën shpresuar gjatë muajve të fundit që Banka e Shqipërisë do të zbuste politikën e vet, sepse në këtë rast edhe kreditë e tyre në lekë do të bëheshin më të lira. Kreditë në lekë janë shtrenjtuar ndjeshëm gjatë vitit të fundit.

"Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomiko-financiare brenda dhe jashtë vendit, si dhe duke analizuar me kujdes treguesit e besimit, pritshmëritë e sistemit bankar dhe parashikimet e specialistëve të Bankës së Shqipërisë për zhvillimet inflacioniste në tetë tremujorët e ardhshëm, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, atë për marrëveshjet e riblerjes me maturim njëjavor në nivelin 5.75 për qind", njoftoi BSH.

"Vendimi i sotëm (dje) përcjell stimuj të duhur konsumi, investime dhe kursim në ekonomi, në përputhje me stabilitetin afatmesëm të çmimeve. Në këtë kontekst, ai i shërben rritjes së qëndrueshme afatgjatë të vendit", vijon më tej deklarata. Interesat e kredive në lekë janë rritur veçanërisht pas tetorit, kur kërkesa e fortë për borxh nga ana e qeverisë shërbeu në treg si një "konkurrencë" me kërkesën e biznesit dhe individëve për kredi. Bankat patën mundësi të ofrojnë të gjitha paratë që kishin për blerje bonosh thesari. Në maj, interesi i kredive për lekë varioi nga 12.3 për qind që ishte më e lira për biznesin, në 18.2 për qind për individët, shifra këto të konsideruara si stratosferike. Një vit më parë, interesi i kredive në lekë për biznesin fillonte me 10 për qind. Interesat për individët kanë qenë edhe para krizës po kaq të larta. Mbajtja e lartë e interesit të lekut nga ana e Bankës së Shqipërisë e bën monedhën tonë kombëtare më tërheqëse për depozita dhe rrjedhimisht ndikon në forcimin e saj kundrejt euros apo dollarit. Kjo është edhe arsyeja pse BSH e mban të lartë normën bazë të interesit në ekonomi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›