E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kina u kërkon SHBA-ve të reduktojnë deficitin

Një zyrtar i qeverisë kineze deklaroi dje se ka marrë premtim nga administrata e Presidentit të SHBA-ve, Barack Obama, për reduktimin e deficitit buxhetor të ekonomisë më të rëndësishme të botës. Për Kinën, shëndeti i buxhetit të SHBA-ve është veçanërisht i rëndësishëm, për shkak se ai përcakton vlerën reale të dollarit në tregun ndërkombëtar dhe Kina është një nga pronarët më të mëdhenj të dollarit amerikan në botën e sotme. Të dyja palët diskutuan ballë përballë mbi problemin gjatë ditëve të shkuara. SHBA premtoi se do ta reduktojë deficitin e stërmadh buxhetor sapo ekonomia të fillojë të rigjallërohet, sipas zyrtarëve kinezë të cituar nga "New York Times".

Qeveria kineze ka blerë gjatë viteve të fundit tituj borxhi të SHBA-ve me vlerë prej 1.5 triliardë dollarë. Nëse qeveria amerikane e zgjeron deficitin e vet, atëherë dollari mund të zhvlerësohet dhe për pasojë investimet kineze mund të humbasin vlerën që kanë aktualisht.

Kjo është hera e parë në historinë amerikane që një vend i huaj kërkon disiplinë financiare nga zyrtarët e Uashingtonit dhe arrin të marrë premtimin se kërkesa e saj do të respektohet. Tërheqja e investimeve kineze nga borxhi publik i SHBA-ve mund të shkaktojë çrregullime masive në tregun ndërkombëtar, sipas ekspertëve. Më herët, Kina pati kërkuar zëvendësimin e dollarit si monedhë rezervë për botën me një shportë monedhash.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›