Atentat nipit të kryetarit të PD-së së Fierit
Atentat nipit të kryetarit të Partisë Demokratike së degës Fier. Besnik Murati, 35 vjeç, është qëlluar me pistoletë në rrugën pranë shtëpisë së tij pak para mesnatës së të martës, por fatmirësisht dy plumbat nuk i kanë sjellë pasoja për jetën e tij. Ai ndodhet në spitalin e Fierit, nën kujdesin e mjekëve, ndërkohë që policia ka deklaruar se janë identifikuar autorët e mundshëm të ngjarjes. Ata janë Elis Nuhaj, 20 vjeç, lindur dhe banues në Fier, si edhe Julian Meçi, 23 vjeç, edhe ky fierak. Policia i ka shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre. Ndërkohë, pistat ku po heton policia janë konfliktet e mundshme personale të nipit të kryetarit të PD-së së Fierit, i cili punonte shofer me këtë të fundit. Dyshohet se motivi më i mundshëm i këtij atentati të kenë qenë konfliktet për çështjen e një femre, që ka lidhje me njërin prej atentatorëve. Por nuk janë përjashtuar edhe pistat që kanë lidhje me profesionin e tij. "Pesha e tij në emërimet për punë, në zgjidhjet e shumë ndereve, si edhe në çështjet politike ka qenë e madhe, madje ai ka luajtur rol kryesor. Edhe kjo po hetohet nga ne", kanë thënë burimet nga prokuroria dhe Policia e Fierit që po shqyrtojnë ngjarjen në fjalë. 35-vjeçari Besnik Murati, banor i lagjes "Kastrioti" të qytetit të Fierit, jeton në një pallat shumëkatësh të ndërtuar vitet e fundit, pranë shkollës 9-vjeçare "Naim Frashëri". Pasi ka konsumuar një kafe në njërin prej lokaleve që ndodhet në periferi të qytetit, ndërsa ora shënonte 23.40 minuta e së martës, 35-vjeçari Murati i është drejtuar banesës me automjetin e tij të tipit "Benz Mercedez" me targa FR 0002. Burime zyrtare të Policisë së Fierit bëjnë të ditur se sapo ka dalë nga automjeti i tij, Murati është qëlluar dy herë me pistoletë. Më pas, autorët janë larguar pa u vënë re, të ndihmuar nga terri i natës, si edhe ndriçimin e munguar të rrugës dytësore të qytetit, që ndodhet vetëm pak metra larg godinës së Drejtorisë së Policisë të Qarkut Fier. Murati është plagosur në dorën e djathtë, ndërsa plumbi tjetër i ka prekur sipërfaqen e barkut, por pa i shkaktuar plagë të rënda. Mësohet se 35-vjeçari i ka hipur sërish automjetit të tij dhe i përgjakur ka shkuar i vetëm në urgjencën e spitalit të Fierit. Ai i është nënshtruar menjëherë ndërhyrjes kirurgjikale dhe bluzat e bardha kanë deklaruar se "gjendja shëndetësore e Besnik Muratit është e mirë dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. 35-vjeçari ka marrë dy plagë, që fatmirësisht nuk kanë qenë të rënda. Plaga në bark i ka prekur një pjesë të mirë të lëkurës, pasi plumbi i ka përshkuar tangent një pjesë të madhe të barkut. Në dorën e djathtë plumbi i ka dëmtuar tri gishta, të cilat do të rehabilitohen shumë shpejt". Përgjatë gjithë natës së kaluar dhe ditës së mërkurë në spitalin e Fierit kanë qenë të pranishëm me dhjetëra të njohur të 35-vjeçarit. Ndërkohë që të pranishëm në spital kanë qenë edhe efektivët e Policisë së Fierit.
Policia
Edhe pse atentati ka ndodhur vetëm 10 metra larg murit rrethues të godinës së Drejtorisë së Policisë Fier, kjo e fundit është sinjalizuar për ngjarjen nga spitali dhe banorë të lagjes që kanë raportuar se një person është qëlluar me pistoletë. Efektivë të shumtë të policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, kurse shumë të tjerë në spital. Pranë pallatit, ku Murati po parkonte automjetin, policia ka gjetur dy gëzhojat e plumbave, që sipas policisë kanë dalë nga e njëjta armë zjarri. Ndërkohë janë gjetur gjurmë gjaku, si edhe gjurmët e automjetit nga ka kaluar makina e të plagosurit. Policia deklaron se dy autorët kanë qenë në këmbë kur kanë realizuar atentatin dhe më pas janë larguar me shpejtësi për të hipur në një makinë që ndoshta i ka pritur disa metra më larg.