E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakrojnë me thika një 23-vjeçar, në kërkim dy autorët

Plagosin me thika një 23-vjeçar, shpallen në kërkim dy autorët. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të vona të së martës, në qytetin e Pogradecit, ku pas një konflikti për motive banale ka mbetur i plagosur rëndë Ermal Çoçka. Burime të policisë lokale kanë sqaruar se dy autorët e identifikuar për plagosjen e rëndë me dashje të të riut pogradecar janë Renato Capollari, 24 vjeç nga fshati Gështenjas dhe Mariglen Topuzi, bashkëmoshatar i tij nga qyteti i Pogradecit. Dy autorët, sipas policisë, e kanë qëlluar 23-vjeçarin katër herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit dhe më pas janë larguar me shpejtësi. Ka qenë një patrullë policie e orëve të natës, që pasi ka identifikuar mjetin ku udhëtonin dy të rinjtë, është vënë në ndjekje të tyre, por pa rezultat. Autorët e plagosjes kanë braktisur makinën në afërsi të fshatit Çërrave dhe kanë mundur të largohen në drejtim të paditur, të ndihmuar nga errësira e natës. Burime zyrtare nga policia lokale deklarojnë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 23.15 minuta të së martës, në lagjen 2 të qytetit. Capollari dhe Topuzi kanë qenë duke parkuar makinën, kur janë përplasur dhe kanë shtypur në pjesën e këmbës 23-vjeçarin Çoçka. Ky veprim ka sjellë reagimin e të riut, i cili ka nisur të fyejë dy të rinjtë që drejtonin mjetin. Sherri ka degjeneruar më pas me plagosjen katër herë me thikë të 23-vjeçarit Çoçka, në pjesë të ndryshme të trupit. Burime nga policia bëjnë të ditur se dyshohet që ngjarja të ketë ardhur pas një sherri të mëparshëm dhe dy autorët ta kenë ndjekur qëllimisht 23-vjeçarin dhe të shkaktojnë përplasjen me të. Ndërkohë, mësohet se gjendja shëndetësore e 23-vjeçarit është e rëndë, për shkak të plagëve të shumta që ka marrë dhe sasisë së madhe të gjakut që ka humbur. Ndërkaq, policia po punon për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›