Familjet e mëdha të Tiranës kërkojnë drejtësi në Gjykatën e kryeqytetit

Hera e tretë që Taulant Balla i përvidhet drejtësisë brenda tre muajsh
Taulant Balla refuzon të përballet me drejtësinë. Në seancës e radhës të ditës së djeshme Taulant Balla iu përvodh drejtësisë.
Në një prononcim për mediat, përfaqësuesit e familjet të mëdha të Tiranës, trashëgimtare të familjeve Begeja, Vaqari, Saliaga, etj deklaruan se, “është hera e tretë brenda 3 muajsh që deputeti i PS, Taulant Balla i përvidhet drejtësisë. Zoti Balla para 6 muajsh na quajti mashtrues dhe hajdutë të gjithëve ne, me dhjetëra familje pasardhëse të familjeve të vjetra të Tiranës (ku kemi të majte dhe të djathtë deri përfshirë edhe të shoqen e Marko Bellos si bashkëpronare). Menjëherë sapo u fyem i kërkuam PS të hidhte poshtë me neveri sulmin e ulët dhe të pavërtetë të deputetit të saj si një sulm të padenjë dhe të drejtuar gjithë shtresës së ish-pronarëve, por fatkeqësisht kjo nuk ndodhi”.
Ndër të tjera, në deklaratën e tyre familjet e vjetra të kryeqytetit kërkojnë të ballafaqohen në gjyq me deputetin e PS, Balla.
“Duke dashur të trajtojmë çështjen me dinjitet dhe korrektesë kemi përmbi 5 muaj që e kemi hedhur ne gjyq për shpifje Taulant Ballën, duke i mundësuar të paraqesë fakte për sulmin e ulët ndaj të gjithëve ne nëse ka, por ky person vijon t’i përvidhet drejtësisë”, theksojnë ata.
Po ashtu me anë të këtij reagimi, familjet Begeja, Vaqari, Saliaga, e njoftojnë Taulant Ballën se seanca e radhës është caktuar me 29 prill 2013 ora 12.00.