E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shaban sharra që sharron me gafa PS

11-04-2013 / Nga Adrian Roshniku

Pa asnjë program konkret kryetari i PS Edvin Rama, kohët e fundit, në vend të fjalëve, ka nisur të belbëzojë “bllë-bllë-bllë”, i trembur nga humbja e sigurtë më 23 qershor e cila do të shoqërohet edhe me ndëshkimin e tij, nga ata që e kanë duruar mbi krye deri më sot. Ndaj në terr të natës qetëson mendjen, nga një anë me llomotitjet e aleatëve pa vota, si Gjinushka dhe barcoletat e S. Ngjelës të vetëterrorizuar nga drita e lirisë, nga ana tjetër me Kreshnik Spahinjtë “kuq e  zi”  me probleme  në organet e drejtësisë për shpërdorim mjetesh financiare.
Pas gafës marksiste të taksës progresive, nga e cila humbasin punën qindra të punësuar, kryetari i PS, i njohur edhe si Shabani me sharrë i shkronjave e shifrave në shuplakën e dorës, tek jepte mësime për bujqësinë na u duk si hija e shokut Enver me thirrjen, “dukagjinas zbrit nga mali” dhe direktivën “të ndërtojmë socializmin me forcat tona”. Shkodranët qeshën me lot, kur Shaba i PS njoftoi papritur, se nuk ishte më durrsak, as tiranas, as nga Paftali, por gjerman prej Shkodre, gjysh pas gjyshi. Për pak sa s’tha se është nip nga Marubët, duke tronditur dëgjuesit, me  parashikimin se Shkodrën do ta kthente në identitet sipas fotografive të Marubit, këtu e një 100 vjet më parë, me rrugica, kur qytetarët mbanin kobure e jatagan në brez sipas shijeve folklorike të Bllokut. Ndaj shkodranët ia morën këngës: “Edi Rama mprehi sqepin/ n’gjitha krahët me mbushë xhepin, / se ma hajna e faqezij / kund s’i gjindet shoku i tij./
Kryetari i PS hipur mbi skenë, me fjalën “unë jam përpara, prapa më vjen partia” ia kaloi edhe cinizmit të xhaxhit Enver me buzë në gaz teksa shprehej: “jeni ju, pa jam unë”, apo në mitingun e përmallshëm në Gjirokastër, kur pyeste e përgjigjej vetë: “Kam dashur të vij më shpesh. Po hë! Ç’u bëre? Pse s’ke ardhur më parë?“ Pastaj vijonte fjalimin ulur, për thesaret e muzeut me topa, mortaja, mitraloza, gjyle, qeleshe e trëndafilat e Taulantëve nga Librazhdi.
Në Korçën e kulturës e njohur për profesorët e saj, Shabani i sharrës  theu rekordin për matjen e gjatësisë me metra katrorë! Ndaj akademyku i plakur Gjinushka, besnik i partisë së kuqe, të dërgojë menjëherë kërkesën në Helsinki për Çmimin Nobel. Jo vetëm kaq, duhet t’i jepen edhe çmime të tjera, bie fjala për sjelljet si demokrat në Kukës, Bulqizë e Dibër, ku për pak sa s’i përjashtoi të gjithë nga salla, apo për fyerjen e ish të përndjekurve politikë, mësuesve, gjimnazistëve, infermiereve, grave e burrave të shtruar në spital, sidomos për kërcënimin e drejtorëve të shkollave me burg dhe shkatërrimin e policisë. Edvin Rama i njohur dikur si baskebollist i stolit, shquhej si ngacmues nervash e grindjesh gjatë zhvillimit të lojës. Edhe tani gjatë fushatës elektorale sipas huqit të vjetër përkrah në stadiume gazetarët e shpifjeve dhe tipa si Roshi i Kavajës për goditjen me grushta të trajnerëve e lojtarëve, duke ia hedhur fajin policisë, e cila si në gjithë botën sportive ka për detyrë të ruaj qetësinë gjatë ndeshjeve. Shumë vetë pyesin me të drejtë, ç’kërkon Edvin Rama me ecejaket e shpeshta në Korçë? Mos i vjen në ndihmë mikut të vet, Niko Peleshit, në hall me skandalin e zhdukjes së pikturave në Galerinë “Guri Madhi”? Me të mbërritur atje përhap tymnajën e mbjelljes së pemëve. E ku se? Në zonën e njohur për shtimin e drurëve frutorë me përkrahjen e fuqishme të Qeverisë Demokraitke. Veçse korçarët e mençur e kuptojnë fort mirë, se ku rreh çekani i mashtrimit. Edvin Rama i rilindjes pas shkatërrimit të gjelbërimit në Tiranë, mos vallë  ëndërron  edhe shfarrosjen e pyjve nga veriu në jug? Në Korçë do të mbahet mend edhe bema, kur pas turbullirave të kuptueshme mendore, kyetari i PS. u shtri si hipi i dehur, në tërë gjatësinë e njohur mbi bordurën e pishinës së një hoteli.
Në arkiva do të ruhen edhe gafat e tij, si speclialist i pashoq për zgjidhjen e problemeve të fshatit, veçanërisht ato faqe, ku ngatërron zonat ekonomike, bie fjala, Kolonjën me Gramshin, ashtu si xhaxhi Enver patatet me grurin dhe lulet e diellit me ullinjtë. Kulmin kryetari Rama e arriti në qytetin e Fierit të rrethuar nga autostradat e fermat bujqësore, teksa mohoi gjithçka duke parashikuar një mrekulli social-komuniste që habiti gjithë botën, me shprehjen ’‘nga shumë më pak, të bëjmë shumë më shumë”, një gjetje komike e rrallë që na kujton përdorimin e rezervave të brendëshme dhe shpërndarjen e fekaleve nëpër ara për prodhimin e grurit dhe pasurimin e ajrit me erën e programit të PS.
Kryetari Rama me disa petrita të PS, dridhet e përdridhet e shprehet se është i gatshëm për votimin e tre ligjeve, veçse ato që thotë sot, pa pritur ditën tjetër i mohon, zbythet dhe vijon me premtime fantastike për ngritje këshjellash në erë. Kryetari Rama i frymëzuar nga sajimet e deputetit Fatmir Toçi, që derdh lot krokodili për Labërinë e luftës për liri e pavarësi, e cila gjatë diktaturës dhe qeverisjes social-komuniste të Majkove u harrua mizorisht, habiti fermerët e ndershëm me premtimin, për ndërtimin e rrugës gjatë lumit të Vlorës, e hapur qysh në vitin 1914 nga ushtritë e huaja për qellime lufte. Tashmë kjo krahinë e gjerë malore, siç dihet rrethohet poshtë e lartë nga autostradat e qeverisë së sotme, me doktor Berishën në krye, që nisin nga veriu në jug e dalin në bregdet. Por kryevepra-mashtrim e kryetarit të PS tok me Blushin, u paraqit në Elbasan, kur gajasi qytetarët  elbasanas me premtimin për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan me tunele e cila, siç dihet  tashmë po përfundon, pas kundërshtimeve të rrepta nga deputët e PS me urdhër të kryetarit të dështuar, shok i humbësve internacionalistë. S’është çudi që edhe Rrugën e Kombit, autostradat Tepelenë-Gjirokastër, Lushnjë-Fier, Levan-Tepelenë-Levan-Vlorë, Levan-Fier dhe baj-paset e disa qyteteve, të ndërtuara nga Qeveria Demokratike, t’i regjistrojë në defterin e tij. Kjo të kujton Shvejkun drejt Bugjojevicës me çantë mbi shpinë e pushkën zvarrë me shprehjen e famshme “ç’më duhet mua seç them unë”.
 Me këto gafa kryetari i përkohshëm i PS, E. Rama, i zemëruar  edhe me votuesit, siç u shpreh dhe vetë, ia shtoi jetën Qeverisë Demokratike edhe 160 vjet!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›