E Diel, 1 Nëntor 2026

Personat me aftësi të kufizuar takim me Topin, kërkojnë të mos dekretojë ligjin

Tiranë- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka pritur në një takim përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuara, të cilët i kanë kërkuar mos dekretimin e ndryshimeve në ligjin për Statusin e Paraplegjikëve dhe të Verbërve.

Sipas një njoftimi në faqen zyrtare të Presidencës, kryetari i Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuara, deklaroi se ndryshimet ligjore mbi statusin e të verbërve, paraplegjikëve e tetraplegjikëve, përkeqësojnë gjendjen e mëparshme të kësaj kategorie të shoqërisë shqiptare, duke rritur pasigurinë juridike për të ardhmen e të drejtave të tyre.

Gjithashtu, ai ka kërkuar që strukturat shtetërore të hartojnë strategji dhe plane për ti ardhur në ndihmë kësaj kategorie.

Institucionet shtetërore përkatëse duhet të hartojnë një strategji dhe kuadër ligjor të mbështetur në përvojat dhe standardet evropiane, për nevojat më imediate të personave me aftësi të kufizuara, në mënyrë që të shmangen situata të tilla diskriminimi e pasigurie dhe që kjo strategji të jetë në funksion, në mbrojtje dhe në interes të të drejtave të përfitimeve të personave me aftësi të kufizuara- deklaroi ai.

Ndërsa Presidenti Topi deklaroi se do të ndjekë në vijimësi situatën dhe kërkesat e tyre për tu ndierë të barabartë dhe të dobishëm në jetën shoqërore të vendit.

Vetëm rrugët ligjore janë mjetet demokratike për gjetjen e zgjidhjeve të duhura, të drejta dhe kushtetuese. Nevojitet rritja akoma edhe më tepër e ndjeshmërisë shoqërore, por sidomos të ndjeshmërisë së atyre institucioneve që e kanë për detyrë të sigurojnë të drejtat e kësaj kategorie të shoqërisë shqiptare sipas standardeve që garanton një shtet i vërtet demokratik e ligjor.- tha Topi.

Ndërsa pak javë më parë shoqata e Personave me Aftësi të Kufizuar protestoi para Parlamentit që ndryshimet në këtë ligj të mos votohen, pasi dëmtohet të drejtat e tyre, por ligji u miratua vetëm me votat e mazhorancës.

Shkrime të tjera me interes:

  1. Qeveria ‘braktis’ fëmijët me aftësi të kufizuar Vlorë- Fëmijët me aftësi të kufizuar po vuajnë prej mëse...
  2. Mashtrimi gjigand, ministria shton listat e paraplegjikëve Tiranë – Kryetarja e shoqatës së paraplegjikëve Mylbere Prizreni, deklaroi...
  3. PAK protestë para Parlamentit: Pr/ligji cënon statusin tonë Tiranë- Ashtu siç paralëjmëruan një ditë më parë personat me...

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›