E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një film për ta kujtuar Mourinhon

Sukseset e Jose Mourinhos kanë bërë që për të të prezantohet një dokumentar, i titulluar ‘Jose Mourinho, trajneri më i mirë në botë’. Në këtë dokumentar përfshihen të gjitha gjërat që lidhen me trajnerin e veçantë ‘Special One’.

Ky xhirim, i përgatitur nga Nuno Luz dhe produkt i TV Sic, për Festivalin e kinemasë sportive ‘Sport Movies & Tv’, zbulon shumëçka nga prapaskenat e portugezit. Mourinho kujton momentet më të rëndësishme në jetën sportive nga Maradona te Cristiano Ronaldo, nga Zanetti te Materazzi etj.

Në dokumentar për të flasin edhe lojtarët me të cilët kishte punuar. “Isha i ri, nuk isha i vetëdijshëm për potencialin që kisha, por ai më tha se isha mesfushori më i mirë në botë. Ndihesha mjaft i nderuar, bëra gjithçka për të”, thotë Frank Lampard. “Kur babai im vdiq, ai më tha: Kthehu kur të ndihesh i gatshëm”, shton Paulo Ferreira.

Kurse Diego Milito e kujton ndeshjen vendimtare të Kievit, e cila e dërgoi Interin drejt triumfit në Ligën e Kampionëve. “Pas pjesës së parë tha gjithçka. Na tha se ishim një skuadër që mund të mos fitonim asgjë. Pastaj reaguam dhe e mposhtëm Dinamon”, kujton argjentinasi.

Një kuriozitet e tregon edhe Dejan Stankovic. “Punoja me intensitet të lartë dhe më tha: shko një javë ne Dubai me familjen sepse e meriton. E bukura ishte se kishin për t’u luajtur edhe tri javë në kampionat”. Pra, të gjithë ata që punuan me të, janë të gatshëm të futen në zjarr për Mourinhon.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›