Kreditë mashtruese çojnë në pranga katër persona
Luan Kondi
TIRANË - Katër persona mes të cilëve një analiste kredie, do të ndiqen penalisht, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar dokumentet duke përfituar kredi bankare me vlerë 80 000 euro. Prej kohësh policia i kishte nën vëzhgim pasi kishte për ta dyshime se kryenin veprimtarinë e paligjshme.
Operacioni
Burime zyrtare të policisë së Tiranës njoftuan dje se Seksioni Kundër Krimit Ekonomik- Financiar, në bashkëpunim me Task Force përfundoi në orët e vona të dy ditëve më parë operacionin e koduar “Kredia” duke ekzekutuar masën e arrestit në burg për Agim Karamuçën, 50 vjeç, nga Vora dhe Rexhep Xhegun, 58 vjeç, nga Tirana, i punësuar në sektorin privat. Ndërsa 29 vjeçarja Brunilda Muha, ish-punonjëse e Pro Kredit Bank, me detyrë analiste kredie dhe Fatmir Kasalla, 42 vjeç, nga Fushë-Kruja do të hetohen nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Masa e sigurisë ndaj katër personave ishte dhënë nga Gjykata e Tiranës disa orë para kryerjes së këtij operacioni.
Akuzat
Ndaj tyre rëndojnë akuzat “mashtrimi me kredi”, “falsifikim i dokumenteve, nga persona që kanë për detyrë t’i lëshojnë dhe përdorimi i tyre”, ”korrupsion pasiv në sektorin privat” në bashkëpunim. Aktiviteti i tyre i paligjshëm u zbulua pas një hetimi disa mujor të realizuar nën drejtimin e Task Forcës së Krimit Financiar dhe Korrupsionit. Nga hetimet e deritanishme rezulton se në bashkëpunim me njëri tjetrin, përmes mashtrimit dhe falsifikimit të dokumentacionit për marrjen e disa kredive në emër të personave të tretë dhe në emër të tyre, ata kanë përfituar 80 000 euro nga banka “Pro Kredit”. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të parashikuara në nenet 146,186/2/3, 164/b dhe 25 të Kodit Penal.
17 Korrik 2008