Denoncon pronarin e hotelit në bregdet, i mori motorin e ujit
DURRËS – Një pronar hoteli në plazhin e Shkëmbit të Kavajës është denoncuar në komisariatin e Durrësit nga një person, pasi pretendon se i ka marrë një motor uji. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se “ditën e martë, rreth orës 10.00, Seksioni Kundër Krimit Ekonomik Durrës filloi procedimin penal pa autor për veprën penale të mashtrimit”. Sipas tyre, “ky procedim penal filloi pas kallëzimit të bërë në polici nga shtetasi B.I., lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë. Ky shtetas pretendon se posedonte dy motorë uji, të cilët i lëshonte me qira për pushuesit dhe më datë 11 korrik, rreth orës 16.00, tek hotel “Bel......” që ndodhet pranë Shkëmbit të Kavajës, administratori i tij, shtetasi Z.M., i ka dhënë një çifti pushuesish të panjohur një nga motorët për të bërë shëtitje në det, të cilët më pas nuk ia kanë kthyer më”. Njoftimi zyrtar i Policisë bën të ditur se “lidhur me rastin në fjalë u kryen veprimet e para hetimore dhe po punohet për zbardhjen e rastit”. Materialet procedurale iu kaluan për ndjekje prokurorisë së rrethit.
Vatra të tjera zjarresh në vend, dëme në Durrës, Lazarat dhe Kavajë
Rikthehen sërish vatrat e zjarrit në disa rrethe të vendit tonë. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se janë regjistruar disa zjarre gjatë 24 orëve të fundit në Durrës, Gjirokastër, Kavajë, etj., pas shuarjes së zjarreve në Orikum, Darzezë dhe Seman. Sipas njoftimit të Policisë së Durrësit, rreth orës 17.00 të ditës së mërkurë, në lagjen Nr. 8 në Durrës, në vendin e quajtur “Ullishtja” ka rënë zjarr. Pas njoftimit të marrë, është bërë e mundur shuarja e flakëve brenda rreth 15 minutash. Si rezultat i këtij zjarri nuk ka pasur dëme në njerëz si dhe në banesat përreth. Gjatë kryerjes së hetimeve paraprake lidhur me këtë rast, është bërë shoqërimi në polici i një 16-vjeçari, banor i lagjes Nr.7 Durrës, i cili dyshohet se ka kryer vënien e zjarrit. Po dje, flakët kanë përfshirë edhe një fushë në fshatin Kordhoc të komunës së Lazaratit, rreth 3 kilometra larg Gjirokastrës. "Zjarri i rënë rreth orës 15:00 përfshiu një fushë në fshatin Kordhoc të Gjirokastrës, por ndërhyrja e menjëhershme e forcave zjarrfikëse dhe banorëve të fshatit bëri të mundur vënien nën kontroll dhe shuarjen e tij duke mos shkaktuar dëme", konfirmuan drejtuesit e Repartit të Mbrojtjes ndaj Zjarrit dhe Shpëtimit. Dy ditë më parë u përfshi nga flakët edhe një zonë në fshatin Jorgucat. Flakë të mëdha zjarresh përfshinë edhe plantacionet me ullinj dhe pemë frutore në fshatin Harizaj në rrethin e Kavajës. Sipas burimeve zyrtare, gjatë ditës së djeshme janë djegur rreth 300 hektarë tokë e mbjellë me pemë. Autoritetet lokale kanë kërkuar ndihmë për të bërë shuarjen e flakëve nga ajri me avionë specialë. Flakët kanë vënë në rrezik edhe antenat e telefonisë celulare, të vendosura në këtë zonë. Prej 1 jave rrethe të ndryshme të Shqipërisë janë përfshirë nga flakët, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Dy në pranga për zjarret e Darëzezës në Fier
FIER- Dy shtetas me banim në fshatin Darëzezë të rrethit të Fierit u ndaluar nga policia e këtij qyteti pasi dyshohen si zjarrvënësit kryesor të masivit pyjorë të bregdetit të Darëzezës. Sipas policisë së Fierit shtetasit Shefqet Agalliu, 61 vjec dhe Çimi Agalliu 32 vjec janë ndaluar në mbrëmjen e së martës rreth orës 22:00. Policia pas hetimeve paraprake dhe informacioneve operative, dyshon se të dy shtetasit e sipërpërmendur janë autorët e zjarrit. Zjarri i cili nisi që prej ditës së hënë në pyjet e Semanit dhe të Darzezës vazhdoi dhe gjatë paradites së të martës duke arritur të shuhej vetëm rreth orës 17.30 të dy ditëve më parë. Ndërhyrja nga ajri e një helikopteri italian ndihmoi që flakët të cilët vazhdonin prej 30 orësh të izoloheshin dhe më pas të shuheshin tërësisht. Sipas policisë veç masivit të pishave disa vjeçare në këtë zonë, u dogj dhe një banesë, si dhe dy krerë gjedhë. Shtabi i emergjencës po verifikon dëmet të cilat rezultojnë të jenë të mëdha, por ende nuk ka një bilanc përfundimtar në lidhje me dëmet. Gjatë ditëve të fundit janë arrestuar edhe 6 persona të tjerë në Vlorë, Lushnjë dhe Mallakastër për zjarrvënie të qëllimshme.
17 Korrik 2008