Tavanxhiu gdhend në mermer të kuq yllin mistik të Akrepit
Petrika GROSI
Skulptori i talentuar shkodran në Itali, Genti Tavanxhiu bën të ditur për gazetën “Albania” se këto ditë (12 shtator) do të marrë pjesë me një punë të veçantë të tij në skulpturë, në edicionin e 36-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit Kontemporan në Sulmona të Italisë. Kësaj here, frymëzimi i artistit shqiptar ka qenë “Antares”. Siç shpjegon artisti për gazetën, skulptura flet me një gjuhë të re stilistike, sa i takon karierës së Tavanxhiut. Ai thotë se “Një ndër elementët që karakterizojnë këtë punë është përzgjedhja e gurit; material jo i zakonshëm, mermer i kuq, që vjen nga Afrika e Veriut, i cili të kujton ngjyrën e yllit Antares, në zemrën e konstelacionit të Akrepit. Ai quhet Alfha Scorpi. Për shkak të ngjyrës së tij të kuqe, ylli ka qenë objekt kulti, duke kultivuar një sërë mitesh e legjendash në popujt antikë të Mesdheut. Në veçanti, qytetërimi i lashtë i Egjiptit, orientonte tempujt drejt këtij Ylli.” Një risi tjetër në punën e Gentit është edhe dinamizmi vertikal që skulptura prezanton nëpërmjet formave gjeometrike, duke hedhur një sy drejt origjinës dhe fatit. Zhdërvjelltësia e formave, trajtimet e ndryshme të sipërfaqeve duket sikur përmbajnë në vetvete një shkrim “Texture”. Ato zbulojnë “teknikat e gdhendjes dhe procesin e metamorfozës graduale. Materia, në mënyrë progresive shndërrohet dhe drejtohet në një hapësirë qiellore, si një udhëtim në kohë.
Faktikisht, pjesa terminale e skulpturës të kujton pincat e Akrepit, që me agresivitet (duke ndjekur mitin e luftës së përhershme të Akrepit kundër Orionit) futet në skenë. Ekspozita Ndërkombëtare e Artit Kontemporan organizohet nga Shoqata kulturore “Quadrivio” e Sulmonës, nën mbikqyrjen e Presidencës të Republikës së Italisë, Këshillit të Ministrave dhe Provincës së Akuilës e Bashkisë së Sulmonës. Edhe këtë vit, ekspozita do të mbahet në skenën e Kiskos Satna Kiara. Në hapësirat e ndërtesës antike do të ekspozohen për publikun rreth 115 vepra arti në skulpturë dhe në pikturë të përzgjedhura nga 25 shtete të ndryshme të botës. Nuk e dijmë ende nëse Tavanxhiu është shqiptari i vetëm në këtë eveniment, gjithsesi, pjesëmarrja dhe realizimi i punës së tij në këtë ekspozitë mund të konsiderohet një tjetër hapa përpara për skulptorin me origjinë shkodrane.
Ai u ftua që të marrë pjesë në ekspozitën ndërkombëtare të Salmonës nga kuratorët dhe kritikët më të njohur italianë, të cilët punojnë për këtë ngjarje artistike siç janë Karlo Fabricio Karli, Xhorxho di Xhenoa, Rosario Pinto, Dini Paskuali, Xhorxho Sevese, Gabriele Simonini, Klaudio Strinati, Leo Strocieri dhe Gaetano Paloci. Së fundi, kujtojmë se Genti Tavanxhi ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme ndërkombëtare, në Itali dhe jashtë saj që në vitin 1996. Çmimet për punët e tij dhe vlerësimi nga kritikët nuk ka munguar. Ndërkaq, veprat e Tavanxhiut janë sot pjesë e koleksioneve të ndryshme private apo galerive dhe shesheve publike në Shqipëri, Gjermani, Spanjë, Itali, Svizër, Francë, SHBA, Rumani, Turqi, Kinë, Japoni, Egjipt etj..
8 Shtator 2009