E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Jemi këtu për të ruajtur vendin e parë”

 

FATJON KODRA

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Ari Han nuk ka asnjë dyshim që skuadra e drejtuar prej tij ka shkuar në Hungari për të marrë një rezultat pozitiv. Madje, tekniku holandez i kuqezinjve pa iu dridhur qerpiku deklaroi se Shqipëria do të hyjë në fushën e lojës për të fituar dhe për të ruajtur vendin e parë në Grupin 1 të eliminatoreve të Botërorit 2010. Në konferencën e fundit për shtyp para ndeshjes, Ari Han ka folur për shanset që ka përfaqësuesja shqiptare në këtë takim si edhe për derbin portokalli me trajnerin holandez të Hungarisë, Ervin Kuman.
Si paraqitet gjendja e skuadrës shqiptare një ditë para ndeshjes?
Për fatin e mirë, do të kem në dispozicion të gjithë lojtarët dhe nuk do të kem asnjë problem në ndërtimin e formacionit më të mirë. Nuk kemi të dëmtuar apo lojtarë me probleme të tjera kështu, ndërsa lojtarët janë impenjuar në maksimum gjatë kësaj jave. Kemi pasur 6 ditë në dispozicion për të përgatitur më së miri këtë takim.
Cilat janë shanset e Shqipërisë në këtë ndeshje? Çfarë synoni ju realisht?
Kam lexuar me kujdes shtypin hungarez dhe kam marrë vesh se Hungaria është favorite në takimin ndaj Shqipërisë. Kjo sepse Hungaria luan në fushën e vet dhe ka shumë lojtarë të mirë në përbërjen e ekipit. Mirëpo, mbase keni harruar se Shqipëria është në vendin e parë të Grupit 1 eliminator, ndërsa Hungaria është në vendin e pestë. Gjithsesi, jam i ndërgjegjshëm për faktin se Shqipëria ka luajtur një ndeshje me Maltën, ndërsa Hungaria ka luajtur me Suedinë dhe Danimarkën.
Do të jetë një ndeshje e vështirë për të dyja ekipet. Skuadra shqiptare është gati të marrë një rezultat pozitiv, pasi edhe në aspektin moral jemi shumë mirë. Shumë prej lojtarëve të Kombëtares shqiptare luajnë jashtë në kampionate shumë të mira evropiane. Kështu, që ata kanë eksperiencën e duhur për të menaxhuar një ndeshje të tillë.
Mendoni se Shqipëria do ta ruajë vendin e parë në Grup?
Ne kemi ardhur këtu për të mbrojtur vendin e parë në grup dhe do të përpiqemi në maksimum, pasi i kemi forcat për të bërë një gjë të tillë. Ekipi është shumë i motivuar dhe mendoj se do të luajë një ndeshje mjaft të mirë, edhe pse jashtë fushe. Ne e respektojmë skuadrën hungareze, por nuk i druhemi aspak asaj. Të shtunën ne luajmë për të marrë tri pikët. E kemi të qartë se në pozicionin që jemi cilësohemi një surprizë.
E keni përcaktuar formacionin me të cilin do të luani?
Patjetër që e kam përcaktuar, por nuk kam ndërmend të zbuloj formacionin titullar. Të gjithë janë gati për të luftuar dhe unë do të hedh në fushën e lojës lojtarët më në formë që kam në dispozicion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›