Rikthehet dhuna në Mitrovicë
Në orët e hershme të mëngjesit të ditës së shtunë, në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës kanë ndodhur dy incidente të ndara të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, njofton Policia e Kosovës.
Kështu, në afërsi të lokalit të quajtur "Viva", në rrugën që shpie drejt spitalit në pjesën veriore të Mitrovicës ka ndodhur një shpërthim, si pasojë e të cilit janë dëmtuar rreth 8 vetura civile, ndërsa në mesnatën e së shtunës u është dhënë flaka dy shtëpive me pronarë shqiptarë në veri.
Zëdhënësi i Policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, thotë se si pasojë e shpërthimit të zjarrit janë lënduar 6 persona, zjarrfikës, ndërsa motivet për të dyja incidentet dhe kryesit e veprave nuk dihen akoma.
"Policia për momentin nuk ka të dyshuar në lidhshmëri me rastin. Kjo është faza preliminare e hetimeve, me ç’rast policia është e obliguar të fillojë fazën e hetimeve për identifikimin e personave të dyshuar", u shpreh Hoti.
Hoti njofton se pas këtyre incidenteve, situata e sigurisë në Mitrovicë është e qetë dhe nën kontroll të mekanizmave kosovarë dhe ndërkombëtarë të sigurisë.
"Situata e sigurisë është nën kontroll dhe është vënë shumë shpejt nën kontroll me ndihmën e KFOR-it dhe forcave të Policisë së EULEX-it. Që nga vënia e situatës nën kontroll, nuk është shënuar për incidente të tjera", shtoi ai.
Ditët e fundit kanë qenë mjaft sfiduese për situatën e sigurisë në rajonin e Mitrovicës, e cila siç duket vazhdon të jetë e brishtë.
Incidentet në Mitrovicë i kanë dënuar edhe udhëheqësit e institucioneve të larta shtetërore të Republikës. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, përmes një kumtese për media u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të vendit që t'u shmangen provokimeve të ndryshme dhe t'u ndihmojnë institucioneve të rendit për ruajtjen e stabilitetit dhe të qetësisë.
"Aktet e tilla të dhunshme, pa marrë parasysh motivet dhe autorët që qëndrojnë prapa tyre, nuk i shërbejnë perspektivës së qytetarëve të Republikës së Kosovës", ka theksuar presidenti Sejdiu, i cili u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse për sigurinë në vend, KFOR-in, Policinë e Kosovës dhe organet e hetuesisë që t'i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e këtij rasti, në mënyrë që personat përgjegjës të dalin para drejtësisë.
"Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara për sundimin e rendit dhe të ligjit, për ndërtimin e një shoqërie të lirë e demokratike, që u krijon mundësi të barabarta të gjithë qytetarëve të saj dhe nuk do të lejojnë që aktet e tilla ta vënë në rrezik të ardhmen euroatlantike të vendit", ka shtuar presidenti Sejdiu.
Zogaj: Hetim ndërkombëtar për Mitrovicën
Kryetari i Komisionit për politikë të jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, Preç Zogaj ka deklaruar se pas zhvillimeve të fundit në Mitrovicë është i domosdoshëm një hetim ndërkombëtar.
Zogaj ka thënë se "është e domosdoshme që pas zhvillimeve të fundit në Mitrovicë të organizohet hetim ndërkombëtar sepse këto zhvillime kanë për qëllim të vënë në pyetje pavarësinë e Kosovës".
Preç Zogaj ka theksuar se "pas këtyre incidenteve qëndrojnë struktura të caktuara që synojnë të lenë përshtypje në opinion se në Kosovë nuk ka rend dhe qetësi dhe rrjedhimisht të kontestojnë pavarësinë e saj".