Falimenton Banka Amerikane e Kursimeve, njerëzit nxitojnë të tërheqin depozitat
Shenja paniku si në Shqipërinë e vitit 1997 janë shfaqur edhe javët e fundit në SHBA, ku si pasojë e falimentimit të mjaft bankave, ekonomia ka pësuar tronditje, në një kohë që qytetarët nxitojnë të tërheqin depozitat. Ndërsa politikanët e Amerikës vijojnë një betejë mbi ligjin 700 miliardë dollarësh të shpëtimit të sistemit financiar, duket se ora e vërtetë e alarmit po rreh nën rrogoz. Tregjet janë të etura për të gjetur likuiditet, por arteriet e thithjes së likuiditetit janë tharë. Shumë aktorë të rëndësishëm të tregut kanë ikur tashmë, përfshirë “Lehman Brothers” dhe “AIG”. Por tashmë, edhe shumë aktorë të rëndësishëm rajonalë po shkojnë drejt fundit. Të enjten në mbrëmje, në një operacion shumë sekret të kryer pasi tregjet qenë mbyllur, mbikëqyrësi i tregjeve financiare amerikane urdhëroi sekuestrimin e bankës më të madhe të kursimeve të vendit, “Uashington Mutual”, një bankë me bazë të Siatwll. Brenda natës u nënshkrua marrëveshja që ajo bankë t'i shitej “JPMorgan Chase”. Rekordi i vendosur është me të vërtetë i përmasave të mëdha. “WaMu” kishte 300 miliardë dollarë asete. Falimentimi i mëparshëm më i madh në historinë amerikane qe regjistruar në vitin 1984, kur është mbyllur një bankë me 40 miliardë dollarë asete. Shqetësimi tashmë qëndron në faktin se bilancet e bankave amerikane, janë gjithashtu të mbushura me kredi për shtëpi që po përkeqësohen, me borxhe kartash krediti të pashlyera e të tjera. Falimentimi i “WaMu”, vuri në dukje gjithashtu faktin se depozituesit nxituan të tërheqin paratë e veta, pavarësisht se ligji amerikan garanton të plota depozitat deri në 100 mijë dollarë.
Konfindustria, apel qeverisë: “Kujdes me privatizimin e OSSH-së!”
Biznesi i bën thirrje qeverisë që të mos e kthejë privatizimin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në një qëllim në vetvete dhe të mos pranojë për këtë arsye edhe oferta që do të ishin të pafavorshme për ekonominë. Administratori i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, u shpreh se, shitja duke pranuar çdo kusht të vënë nga investitorët dhe në kundërshtim me interesat publike, vetëm për arsye të përfitimit të të ardhurave në buxhet do të ishte një gabim me pasoja afatgjata për ekonominë. Tenderi për shitjen e OSSH-së pritet të zhvillohet nesër. Qeveria u ka dhënë të drejtë 4 shoqërive të parakualifikuara, që të vendosin kushte për realizimin e treguesve teknik, të cilat për publikun janë ende të panjohura. Ndaj, në këtë pikë biznesi ka një sugjerim: “Të shtyhet privatizimi nëse kushtet e vendosura janë të pafavorshme dhe t’u jepet mundësia investitorëve shqiptarë që të marrin pjesë në privatizim”. Operatori i Shpërndarjes është një nga shoqëritë më të mëdha në vend, me një xhiro mujore që varion nga 20 deri në 30 milionë euro.
Çmimet e karburanteve në vend pësuan një ulje të lehtë gjatë javës
Çmimet e karburanteve kryesore në pikat e tregtimit të karburanteve në Tiranë kanë njohur një ulje të lehtë gjatë javës që lamë pas. Të hënën 1 litër naftë u shit mesatarisht me 147 lekë, 1 litër benzinë me 150 lekë, ndërsa 1 litër “Euro Diezel” me 155 lekë. Ndërkohë, në mesjavë (të mërkurën) çmimet ishin: 1 litër naftë 145 lekë, 1 litër benzinë 147 lekë dhe 1 litër “Euro Diezel” 153 lekë, ndërsa në fundjavë (e shtunë) çmimet mesatare ishin: 1 litër naftë 145 lekë, 1 litër benzinë 147 lekë, ndërsa 1 litër “Euro Diezel” 150 lekë.
Leku e mbyll javën me pozicion të qëndrueshëm në tregun valutor
Gjatë kësaj jave leku ka qenë në kuota të qëndrueshme në kursin e këmbimit me valutat e kryesore të huaja si, me dollarin dhe me euron. Në fillim të javës (të hënën), një dollar u shkëmbye me 85,2 lekë dhe u shit me 85,7 lekë, në mesjave (të mërkurën) u shkëmbye me 84,1 lekë dhe u shit me 84,6 lekë, ndërsa në fundjave (të shtunën) u shkëmbye me 85 lekë dhe u shit me 85,4 lekë. Në fillim të javës, një euro u shkëmbye me 123,7 lekë dhe u shit me 124,2 lekë, në mesjavë u shkëmbye me 123,7 lekë dhe u shit me 124,2 lekë, ndërsa në fundjavë (të shtunën) u shkëmbye me 124,1 lekë dhe u shit me 124,5 lekë.
29 Shtator 2008