Besnikëri shoqërore
Atdhetarizmi është besimi i njeriut te vendi. Vetëdija është besim i njeriut te vetja. Kur besimi ndaj vendit ndërthuret me besimin ndaj vetes, kjo krijon besnikërinë e ndërsjelltë të çdo njeriu ndaj tjetrit, çka bëhet qenësore për besnikërinë shoqërore, e cila zbulon anët më të mira të karakterit të secilit. Besnikëria është besim, besë dhe, si e tillë, një vyrtyt me rrënjë veçanërisht të thella në instinktin e çdo shqiptari. Atdheu është mishërimi i besimit të banorëve te vendi. Por a është ky besim i ndërthurur, ashtu siç duhet, me besimin në vetvete, për krijimin e ndjenjës së besnikërisë shoqërore, thelbësore për zhvillim, qytetërim e mirëqenie? Shumë të huaj thonë se shqiptarët janë inteligjentë dhe si individë janë njerëz shumë të aftë. Dhe ky nuk është as miklim e as teprim. Por çuditërisht ndikimi i të aftëve në shoqëri vihet re shumë pak. Përgjithësisht, mendohet se kur individë të aftë nuk bashkëpunojnë, ata veprojnë kështu pasi mendojnë se të njëjtën punë mund ta bëjnë vetë më mirë. Por mund të ketë edhe arsye të tjera. Për shembull, ata ndoshta mendojnë se grupi nuk është në nivelin që duhet të jetë, ose ata nuk kanë besim te shoqëria apo udhëheqësit e saj dhe nuk duan që aftësitë e tyre vetjake të përdoren nga grupi për punë të këqia. Kjo i bën këta ndividë me të vërtetë cinikë, dhe të mendojnë se janë më të mirë se të tjerët. Duke e ndier se janë të aftë, por nuk duan të bashkëpunojnë, këta individë në fakt i ngjajnë drurit të vetëm, që ndizet e shpejt shuhet, si për të treguar se mund të bëj zjarr, por nuk ka pranë një dru të ngjashëm për të çliruar plotësisht energjitë e veta.
Astrit LULUSH (SHBA)
Një nga veçoritë e rënies së regjimit komunist në Shqipëri, më 1990, ishte shoqërimi i saj me shkatërrimin deri në themel të infrastrukturës. Uzina, fabrika, qendra prodhimi, shkolla, spitale, parqe, vepra të ndryshme u rrënuan, por jo pa iu nënshtruar më parë një plaçkitjeje të pashembullt. Dhe këto u kryen nga njerëz vendas, që kishin punuar rëndë për to, por që tani besonin vetëm te vetja, askak te Zoti, e ndoshta pak në atdhetarizëm të korruptuar atëherë me komunizëm. Ndërsa besnikëria shoqërore ishte vrarë prej kohësh. Ajo ishte zëvendësuar me pabesinë, duke bërë të dilnin në pah anët më negative të njeriut.
Por vërshimit të zemërimit ndonjëherë vështirë t’i vihej faj, sepse s’mund të ndodhte ndryshe, nëse nuk harrohet se shumë prej veprave nën komunizëm ishin ndërtuar nga “vullnetarë”, njerëz “të lirë” dhe nga të burgosurit e të internuarit, që kishin punuar nën goditjen e kamzhikut apo me rrezikun e vdekjes. Dhe sado i mirë të kishte qenë qëllimi i projektuesve në pushtet, themelet e përziera me gjak, vuajtje, djersë të pashpërblyer, poshtërime e urrejtje, kishin bërë që ndjenja e humanizmit të përçudnohej dhe se qëllimi, sado i mirë, kurrë nuk mund të justifikonte mjetin.
Atdhetarizmi është besimi i njeriut te vendi. Vetëdija është besim i njeriut te vetja. Kur besimi ndaj vendit ndërthuret me besimin ndaj vetes, kjo krijon besnikërinë e ndërsjelltë të çdo njeriu ndaj tjetrit, çka bëhet qenësore për besnikërinë shoqërore, e cila zbulon anët më të mira të karakterit të secilit.
Besnikëria është besim, besë dhe, si e tillë, një vyrtyt me rrënjë veçanërisht të thella në instinktin e çdo shqiptari. Atdheu është mishërimi i besimit të banorëve te vendi. Por a është ky besim i ndërthurur, ashtu siç duhet, me besimin në vetvete, për krijimin e ndjenjës së besnikërisë shoqërore, thelbësore për zhvillim, qytetërim e mirëqenie?
Një dru i vetëm në vatër ndizet me vështirësi, por edhe shuhet shpejt, ndërsa shumë drurë të vendosur pranë, por duke respektuar hapësirën e nevojshme për qarkullimin e ajrit mes tyre, jo vetëm që ndizen lehtë, por gjithashtu nuk shuhen, derisa çdo dru të ketë çliruar të gjitha energjitë e veta.
Shumë të huaj thonë se shqiptarët janë inteligjentë dhe si individë janë njerëz shumë të aftë. Dhe ky nuk është as miklim e as teprim. Por çuditërisht ndikimi i të aftëve në shoqëri vihet re shumë pak. Përgjithësisht, mendohet se kur individë të aftë nuk bashkëpunojnë, ata veprojnë kështu pasi mendojnë se të njëjtën punë mund ta bëjnë vetë më mirë. Por mund të ketë edhe arsye të tjera. Për shembull, ata ndoshta mendojnë se grupi nuk është në nivelin që duhet të jetë, ose ata nuk kanë besim te shoqëria apo udhëheqësit e saj dhe nuk duan që aftësitë e tyre vetjake të përdoren nga grupi për punë të këqia. Kjo i bën këta ndividë me të vërtetë cinikë, dhe të mendojnë se janë më të mirë se të tjerët. Duke e ndier se janë të aftë, por nuk duan të bashkëpunojnë, këta individë në fakt i ngjajnë drurit të vetëm, që ndizet e shpejt shuhet, si për të treguar se mund të bëj zjarr, por nuk ka pranë një dru të ngjashëm për t’i treguar aftësitë a për të çliruar plotësisht energjitë e veta.
29 Shtator 2008