I shitën femrën njëri- tjetrit, dënohen trafikantët

Gjykata e Krimeve të Rënda ridënoi dje me nga 10 vite burg katër të akuzuar për trafikimin e një vajze nga Dibra
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, në përfundim të gjykimit, deklaroi fajtorë katër të pandehurit, Agim Hoxha, Alket Rushiti, Ervin Premçi dhe Gjergji Xheraku për veprat penale të "Trafikimit të femrave për qëllime prostitucioni" në bashkëpunim, duke i dënuar me nga 10 vjet burg secilin. Sipas vendimit nr.13 të Gjykatës së Krimeve të Rënda, të pandehurit në bashkëpunim mes tyre, në role të ndryshme, kanë shfrytëzuar për prostitucion një vajzë dhe më pas ia kanë shitur njëri-tjetrit, duke tentuar edhe ta trafikonin për në Itali. Këta të pandehur janë dënuar edhe kohë më parë nga kjo gjykatë dhe më pas edhe nga ajo e Apelit. Por Gjykata e Lartë ka kthyer dosjen për rigjykim për shkak të shkeljeve procedurale të kryera gjatë gjykimit në Shkallën e Parë të Krimeve të Rënda dhe më pas në Apel. Sipas vendimit, më datë 24 janar 2004, vajza A.M. ka kallëzuar në polici personat që e kanë shfrytëzuar për prostitucion dhe më pas e kanë shitur duke kryer veprën penale të trafikut të femrave. Sipas kallëzimit, A.M. banuese në Dibër, më 11 korrik 2002, ishte larguar nga shtëpia duke u nisur për në Shkozet të Durrësit tek tezja, duke lajmëruar burrin e tezës që dilte ta priste tek stacioni. Pasi ka mbërritur në Durrës, ka konstatuar se nuk po e priste njeri, vajza është nisur në kërkim të banesës së tezës. Në këtë kohë i janë afruar të pandehurit Agim Hoxha dhe Gjergji Xheraku, të cilët i kanë premtuar ndihmë për gjetjen e shtëpisë që po kërkonte. Ata e kanë çuar Afërditën në shtëpinë e Agim Hoxhës ku nuk kishte njerëz të tjerë. Sipas kallëzimit të vajzës, të dy personat, për disa ditë me radhë, e kanë dërguar në shtëpi të personave të ndryshëm me qëllim shitjen e saj për prostitucion. Pas disa ditë qëndrimi në këtë shtëpi, vajza ka kërkuar që të kontaktonin me të pandehurin Ervin Premçi, i cili pasi ka ardhur dhe takuar vajzën i ka propozuar Hoxhës e Gjerakut që në këmbim të vajzës t'u linte makinën e tij tip "Mercedes Benz". Por, dy të pandehurit nuk kanë pranuar duke i kërkuar shumën 15 mijë lekë të reja. Këtë shumë Premçi ua ka dorëzuar personave dhe më pas ka marrë vajzën. Në shtator 2002 Premçi e ka shitur vajzën tek i pandehuri Alket Rushiti, i cili ka konstatuar se vajza ishte shtatzënë dhe ia ka kthyer atë Premçit. Ky dyshohet se e ka detyruar të abortojë. Pas abortit, Premçi se bashku me vajzën janë kthyer në shtëpinë e prindërve të tij, ku ajo ka qëndruar për gati një vit, deri në korrik të vitit 2003. Në një moment kur Premçi nuk ndodhej në banesë, vajza është larguar në Kosovë, ku ka qëndruar deri në nëntor 2003. Në këtë kohë atë e kanë kthyer në Shqipëri pasi nuk ka qenë e pajisur me dokumente dhe ka shkuar pranë familjes duke denoncuar tutorët e saj.