Qeveria, fond shtesë për të dëmtuarit e aksidentit teknologjik në Gërdec
Këshilli i Ministrave miratoi dje fondin shtesë prej 13 018 800 (trembëdhjetë milionë e tetëmbëdhjetë mijë e tetëqind lekë të reja) për dhënie ndihme financiare ndaj familjeve të dëmtuara nga shpërthimi 5 vite më parë në Gërdec.
Duke e cilësuar tragjedinë e 15 Marsit në Gërdec si aksident teknologjik, vendimi i qeverisë specifikon se paratë do ndahen nga Bashkia Vorë, për banorët që jetojnë me qira për shkak të shkatërrimit të banesave e tokave bujqësore që ndodhen brenda perimetrit brenda kraterit.
“Vendim për akordim fondi shtesë Bashkisë Vorë, për dhënie ndihme financiare familjeve të dëmtuara nga aksidenti teknologjik i datës 15.3.2008 në fshatin Gërdec, për pagesën e qirave të banesave dhe të dëmeve të shkaktuara nga mospërdorimi i tokave e kulturave bujqësore, që ndodhen brenda perimetrit 300 ml rreth kraterit, e shpallur si zonë e sigurisë së lartë. Fondi i akorduar, prej 13 018 800 (trembëdhjetë milionë e tetëmbëdhjetë mijë e tetëqind) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Ngarkohen ministri i Financave, ministri i Brendshëm, prefekti i qarkut Tiranë dhe bashkia Vorë, për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në vendimin e qeverisë.