E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Fashion TV summer party”, për herë të parë në Durrës

Autori i Lajmit: red.
“Fashion TV summer party” do të organizohet për herë të parë në qytetin e Durrësit, nën ekskluzivitetin e Dhomës Kombëtare të Modës, një aktivitet që do ta radhisë Shqipërinë përkrah vendeve të tjera të botës në transmetimet në kanalin prestigjoz Fashion TV. Aktiviteti do të startojë më 8 gusht në qytetin bregdetar të Durrësit, për t u zhvendosur më pas në një zonë tjetër bregdetare, në veri në vendit, në plazhin e Velipojës. Aktivitete të ngjashme do të organizohen dhe në bregdetin e Vlorës dhe të Sarandës, ku ka një numër të madh pushuesish vendas dhe të huaj, ndër të cilët jo pak janë të orientuar drejt modës. Presidentja e Dhomës Kombëtare të Modës, Diana Sokolaj Cekodhima, në një prononcim për shtyp, bëri të ditur se “qëllimi i aktivitetit, që synohet të kthehet në një traditë, është prezantimi i stilistëve të njohur e të rinj si dhe modeleve të vendit”. Ndërsa Manjola Zeka, specialiste e zyrës për marrëdhëniet me publikun në Dhomën Kombëtare të Modës, tha për ATSH-në se “për herë të parë të apasionuarit e modës në vendin tonë do të kenë mundësi të marrin pjesë në një party të tillë që do të organizohet në Durrës, një aktivitet që më pas do të shtrihet në disa qytete të vendit". Sipas saj, projekti “FTV Summer Party”, është një aktivitet unik dhe argëtues, shumë i ngjashëm me ato që zhvillohen sot në mbarë botën”.

Ky lajm është publikuar: 07/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›