E Diel, 1 Nëntor 2026

Lul Berisha operohet në apandesit

Kapoja i "Bandës së Durrësit", Lulzim Berisha, u largua dje për disa orë nga qelia ku mbahet në parabu-rgimin 313 në Tiranë për shkak të ndërhyrjes kirurgjikale në apandesit. 

Fatos Mahmutaj

Punonjësit e shërbimit të sigurisë së brendshme të burgut 313 kanë marrë dje në mëngjes në orën 08:30, mesazhin se në qelinë ku mbahej Lulzim Berisha kishte një problem. Efektivat e brendshëm të burgut kanë shkuar menjëherë aty, ndërsa i akuzuari si drejtues i "Bandës së Durrësit" gjendej i mpirë gati pa ndjenja nga dhimbjet e forta në apandesit. Punonjësit e sigurisë së burgut menjëherë kanë lajmëruar specialistët e sektorit shëndetësor, të cilët menjëherë kanë mbërritur në qelinë e 38-vjeçarit nga Durrësi dhe i kanë bërë atij një vizitë paraprake mjekësore, nga e cila konstatuan se problemi shëndetësor ishte serioz. Gjatë kësaj kohe, drejtuesit e burgut 313 kishin lajmëruar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë se ishte e nevojshme lëvizja e të akuzuarit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në drejtim të spitalit të burgjeve. Një lëvizje e tillë bëhet vetëm nën organizimin e forcave speciale. Brenda pak minutave porta e hekurt e burgut 313 është hapur dhe aty kanë hyrë tri mjete të forcave speciale të policisë, njëra prej të cilave e blinduar. I akuzuari si kreu i "Bandës së Lushnjës", është vendosur rreth orës 09:30 në këtë automjet të fortifikuar që shoqërohej nga disa mjete të tjera. Nën kujdesin e personelit mjekësor të burgut, Lulzim Berisha është transportuar në spitalin e burgjeve, i ndjekur nga një autokolonë policore prej disa mjetesh të specializuara të mbushura me efektiva të forcave speciale. Forcat e policisë kanë transportuar të akuzuarin në spitalin e burgut, ndërsa edhe aty ishte ngritur gjendja e sigurisë pas lajmërimit se Lulzim Berisha do të çohej për mjekim urgjent. Forcat speciale të pajisur me veshje antiplumb e kanë shoqëruar 38-vjeçarin deri në brendësi të godinës, ndërsa mjekët e spitalit të burgut pasi kanë bërë vizitat paraprake kanë konfirmuar se ishte e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale. Drejtuesit e spitalit të burgut kanë hyrë në komunikim me spitalin civil, i cili ka pranuar të operojë të akuzuarin për dhjetëra krime të rënda të ndodhura në qytetin e Durrësit deri në vitin 2005. I shoqëruar nga dhjetëra forca speciale të reparteve RENEA dhe BRISK-u, Lulzim Berisha ka mbërritur në spitalin civil rreth orës 14:00. Rreth 20 minuta para mbërritjes së tij aty, dy forgona me forca speciale kishin mbërritur në QSUT duke kontrolluar gjithë zonën, si dhe duke bllokuar e mbajtur në kontroll hyrje-daljet në dy anët e urgjencës së kirurgjisë. Pak çaste më pas, i shoqëruar nga 15 "gorillat" e RENEA-s dhe BRISK-ut deri tek porta hyrëse, pacienti i pazakontë është futur në sallën e operacionit e cila është mbajtur për tri orë në "shtetrrethim". Ndërhyrja kirurgjikale është kryer nga një grup mjekësh, të cilët kanë anuluar të gjitha operacionet dhe vizitat, duke u angazhuar me ndërhyrjen kirurgjikale në apandesitin e Lulzim Berishës. Operacioni ka zgjatur për tre orë, 14:00-17:00. Gjatë kësaj kohe 15 efektiva speciale të policisë, të gjithë të armatosur, si dhe rreth 20 të tjerë në mbështetje të aksionit, kanë mbajtur nën vëzhgim të gjitha lëvizjet rrotull qendrës spitalore universitare "Nënë Tereza". Në këtë kohë, kapoja i "Bandës së Durrësit" ka dalë nga operacioni dhe nën shoqërimin e autokolonës së forcave speciale të policisë është drejtuar në spitalin e burgjeve, ku është mbajtur nën vëzhgimin e mjekëve deri mbrëmjen e djeshme.

Aktiviteti
Lulzim Berisha është frekuentues dhe pjesëmarrës i rregullt i aktiviteteve sportive. Burimet zyrtare nga burgjet të pyetura dje nga gazeta nëse Lul Berisha ka pasur ndonjë aktivitet sportiv para komplikacioneve në apandesit thanë se, angazhimi i 38-vjeçarit të paraburgosur ka qenë i zakonshëm ndërsa krizat në apandesit janë shfaqur herët në mëngjes gjatë kohës që i akuzuari ndodhej në qelinë e tij. Sipas burimeve nga burgjet, Lulzim Berisha është pjesëmarrës i rregullt në aktivitetet sportive që organizohen në paraburgim dhe veçanërisht i apasionuar dhe aktiv në sportin e
futbollit, në ndeshjet e të cilit merr pjesë rregullisht brenda burgut.

Itinerari
Në orën 08:30, personeli i burgut 313 u lajmërua se Lulzim Berisha kishte një problem shëndetësor. Vetëm 30 minuta më pas u vendos dërgimi i tij në spitalin e burgjeve. Aty kapoja i "Bandës së Durrësit" është mbajtur disa orë, ndërsa në 14:00 ka mbërritur në QSUT. I akuzuari për krime të rënda ka dalë nga operacioni në ora 17:00 dhe 30 minuta më vonë është dërguar në spitalin e burgjeve ku është mbajtur në vëzhgim të rreptë nga mjekët deri në përmirësimin e gjendjes dhe tejkalimin e problemeve të ndërhyrjes kirurgjikale në apandesit. Burimet nga burgjet thanë se, operacioni është realizuar me sukses pa asnjë problem në tërësinë e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›