E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fasonistët: Pagat e referencës po na rrënojnë

Qeveria shqiptare po përgatitet të rrisë sërish pagën minimale ligjore të zbatueshme për sektorin privat, një masë që sakaq është një nga shkaktarët kryesorë të vështirësive në sektorin e përpunimit aktiv (fason), më i rëndësishmi në vend për sa i përket punësimit. Përfaqësues të Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve dolën dje në një konferencë për shtyp për t‘i kërkuar qeverisë të ndërmarrë disa masa antikrizë, për të kaluar periudhën e vështirë që u krijua nga rënia e kërkesës për shërbimet e tyre në tregjet tradicionale (Itali dhe Greqi), vështirësi që u kombinua me disa masa fiskale të dëmshme të ndërmarra nga qeveria gjatë vitit të fundit. "Ne kemi rreth 11 mijë punëtorë, (një e treta e të punësuarve në këtë sektor) që aktualisht punojnë me orar të shkurtuar apo janë pushuar nga puna", - u shpreh Sajmir Bidaj, nënkryetar i shoqatës. Qendra Shqiptare për Tregtinë Ndërkombëtare, (ACIT), një zyrë e specializuar në përpunimin e informacionit ekonomik, njoftoi pak ditë më parë se "sektori i përpunimit aktiv ka pësuar rënie të konsiderueshme të importeve të lëndës së parë gjatë muajve të fundit, statistikë kjo që paralajmëron vështirësi serioze për pjesën tjetër të vitit".

Industria e përpunimit aktiv merr porosi nga jashtë (kryesisht për qepje veshjesh e këpucësh, por edhe për asemblim pajisjesh elektrike apo përpunim ushqimesh), dhe rieksporton mallra të gatshme apo gjysmë të gatshme. Duke përdorur koston e lirë të punës në Shqipëri, kjo industri realizon rreth 60 për qind të eksporteve totale shqiptare, si dhe punëson rreth 30 mijë vetë në të gjithë vendin dhe me xhiro vjetore biznesi mbi gjysmë miliardi euro.

Pas shpërthimit të krizës financiare ndërkombëtare në tetor të vitit të kaluar, porositë për këto kompani u reduktuan në mënyrë drastike. Situata duket se po gjallërohet disi gjatë muajit të fundit, por kërkesa pritet të mbetet e ulët edhe për një vit tjetër. Kriza e Italisë, ku kërkesa për veshje e këpucë importi ka rënë me ritme dyshifrore, i ka nxitur biznesmenët shqiptarë të kërkojnë punë në vende të tjera, duke sjellë edhe diversifikimin e shumëkërkuar të hartës së vendeve ku eksportohen këto mallra.

Problemet

Pagat e referencës konsiderohen nga biznesmenët e kësaj fushe si mekanizmi më i dëmshëm që nuk lidhet me krizën ndërkombëtare dhe që mund të zgjidhet nga krijuesi i problemit, vetë qeveria. Punëdhënësit detyrohen të paguajnë një pagë minimale prej 17 mijë lekësh për të gjithë punonjësit, pa marrë parasysh faktin se një pjesë e tyre mund të realizojnë prodhim me vlerë më të ulët. Në të njëjtën kohë, punëdhënësit detyrohen të paguajnë tatimet dhe sigurimet shoqërore mbi këtë pagë referencë. Për pasojë, pagesa e punëtorëve me rendiment të ulët duhet të kompensohet me punën e atyre që kanë rendiment të lartë. Në të gjitha analizat ekonomike, një skemë e tillë ishte shkaku i rënies së komunizmit në Evropën Lindore, pasi punëmarrësi nuk dallonte një lidhje mes asaj që prodhonte dhe pagës që përfitonte. Pagat e referencës sipas fasonistëve ia kanë përgjysmuar fitimet në ditë të mira, ndërsa i rrezikojnë falimentin në ditë të vështira. Tani që të punësuarit e këtij sektori po punojnë me orare të shkurtuara, pagat dhe sigurimet shoqërore duhet të shlyhen si në një situatë normale. Fasonistët thonë se nuk u pëlqen të heqin qafe punëtorët duke i pushuar nga puna, pasi besojnë se në rast se situata përmirësohet shpejt, do të detyrohen të marrin punëtorë të rinj në punë dhe t‘i "arsimojnë" ata nga e para.

Skema e pagave referuese u vendos për herë të parë në mes të vitit 2007, me synimin për të rritur të ardhurat e sigurimeve shoqërore. Qeveria nuk e ka pranuar asnjëherë të diskutojë mundësinë e rishikimit apo anulimit të skemës, edhe pse Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka kritikuar atë si një masë joefektive dhe absurde.

Taksa e sheshtë, reforma më e rëndësishme e qeverisë, u vlerësua nga biznesmenët dje si "e gabuar". Teorikisht, biznesmenët duhet ta shohin taksën e sheshtë si përfitim për ta, pasi të pasurit dhe të varfrit paguajnë taksa njësoj, por në realitet, pikërisht biznesmenët po e vlerësojnë atë si një reformë të gabuar.

Zgjidhje të vockla dhe eficente

Fasonistët ofruan një listë propozimesh që mund të sjellin përmirësim të situatës pa kosto të konsiderueshme për buxhetin e shtetit. "Ne detyrohemi të paguajmë dy herë shërbime doganore për të njëjtin mall të importuar apo eksportuar", - tha Ferdinant Melgushi, fasonist nga Shkodra. Procese të shumëfishta burokratike nëpër dogana, të cilat janë vendosur me synimin për të luftuar korrupsionin, tashmë rezultojnë humbje kohe dhe parash.

Qeveria mund ta përdorë fondin e përcaktuar për rritjen e punësimit si një fond garancie për shlyerjen e detyrimeve ndaj Sigurimeve Shoqërore, sipas fasonistëve. Qeveria ka ndarë një fond prej 200 milionë lekësh, e cila duhet të nxisë punësimin, por që sipas fasonistëve, janë para që thjesht vidhen. "Ne nuk kërkojmë që të na falen taksat, por besojmë që ky fond, në vend që të vidhet, mund të shërbejë si garanci për shlyerjen e sigurimeve shoqërore për një periudhë kalimtare gjashtëmujore", - u shprehën fasonistët dje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›