Fast& Furious tërheq vëmendjen e publikut
Vazhdon të shfaqet në ekranin kinema Millenium filmi Fast& Furious. Nga dita e parë e projektimit të tij dhe deri tani, filmi i cili sjell për publikun një kastë të njohur aktorësh hollivudianë ka tërhequr vëmendjen e publikut. Nga kinema Millenium bëhet e ditur se filmi më shumë ka qenë i preferuar për oraret e mbrëmjes, duke u ndjekur nga një publik i moshave të ndryshme.
Filmi fillon me një prolog 20 minutash të drejtuar nga Vin Diesel dhe të xhiruar në Republikën Domenikane gjatë verës së vitit 2008. Ngjarjet zënë fill aty ku ka mbaruar filmi i parë Fast and Furious, duke u fokusuar në dy personazhet Dom dhe Letty duke treguar se çfarë u ndodh atyre. Në fund të filmit të parë Dominique Toretto (interpretuar nga Diesel) kishte zgjedhur të kalonte kufirin e të vazhdonte jetën në arrati si një i jashtëligjshëm. Filmi rikthen në ekranin e madh kastin origjinal të filmit të parë Fast& Furious, që në vitin 2001 tronditi të gjithë botën duke i zbuluar fenomenin urban të garave ilegale të shpejtësisë. Vin Diesel, Paul Walker, Michelle Rodriguez e Jordana Brewster këtë herë së bashku me Laz Alonso dhe modelen izraeliane Gal Gadot nën regjinë e Justin Lin sjellin një film i cili më shumë se shpërthime, gara me shpejtësi skëterre apo efekte speciale është një film i vërtetë me përjetime ekstreme; lumturi ekstreme, dhimbje ekstreme, vuajtje ekstreme madje edhe dyshim ekstrem! Bashkë me mikeshën e tij Letty ( interpretuar nga Rodriguez), dhe motrën e saj Mia (Jordana Breëster) përpiqet të ndërtojë një jetë të re, por në fakt policia i qëndron gjithnjë nga pas dhe ai duhet të gjejë një mënyrë për të shpëtuar. Diçka nuk shkon siç duhet dhe një lajm i keq e kthen protagonistin në pikën e fillimit, në Los Angeles, në botën e garave klandestine ku do të takojë mikun e tij të vjetër Brian ( interpretuar nga Paul walker). Të dy së bashku do të vihen në ndjekje të njërit prej shpërndarësve më të rrezikshëm të Amerikës. Ky është pak a shumë vijimi i ngjarjeve në filmin më të ri Fast&Furious, i cili ka si nëntitull: New Model, original parts.