PS: Bllokimi i numërimit për shkak të komisionerëve të PD
Partia Socialiste sqaron opinionin publik se të dhënat e kompanisë që jep rezultatet janë ende të paplota. Gjithashtu, partia Socialiste i bën thirrje përfaqësuesve të medias të jenë të matur në raportimet e rezultateve, pasi është ende larg përfundimit të procesit të numërimit. Në të njëjtën kohë, të gjithë numëruesit duhet të jenë të përgjegjshëm dhe të vazhdojnë detyrën e tyre për të numëruar saktë çdo votë të gjendur në kutitë e votimit.
Janë disa qendra numërimi, në të cilat procesi është bllokuar nga ana e numëruesve të Partisë Demokratike: Në KZAZ numër 47 në Tiranë pasi sekretari i KZAZ, përfaqësues i PD ka dhënë dorëheqjen duke bllokuar numërimin. Në KZAZ numër 46 në Tiranë, militantë të PD janë duke ushtruar presion mbi grupin e numërimit. Procesi i numërimit është bllokuar edhe në Fier, Lushnjë, Vlorë dhe Berat, shprehet PS. Partia Socialiste i bën thirrje të gjithë monitoruesve vendas dhe të huaj, përfaqësuesve të ODHIR, OSBE, NATO dhe Këshillit të Evropës, të vazhdojnë të ushtrojnë angazhimin e tyre në këtë fazë tepër kritike dhe vendimtare të procesit zgjedhor, cenimi i përfundimit me sukses i të cilit do të cenonte rëndë dhe të kompromentonte të gjithë procesin zgjedhor. Partia Socialiste ka marrë të gjitha masat dhe po monitoron me imtësi procesin e numërimit të votave. Ne i sigurojmë shqiptarët se nuk do të ketë as edhe një votë të vetme e cila nuk do të numërohet, përfundon ajo.