E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fataliteti i mungesës së destalinizimit, rrënimtar gjer në ditët e sotme

Mikro-esé për kreshpërimin e nostalgjisë në vendin tonë

Mendësia komuniste, e trashëguar nga diktatura, ka një shpjegim thelbësor, që e ka ngërthyer vendin tonë në një prapambetje të padiskutueshme, në krahasim me të gjitha vendet e ish-Kampit të hershëm Socialist të Europës Lindore. Te ne, që kemi hequr diktaturën enveriste më mizore në të gjithë Lindjen europiane, ajo mendësi shkatërrimtare që cekëm në fillim të këtij shkrimi, u ngulmua me shpëlarjen e trurit në një mori njerëzish, me pasoja rrënimtare në frenimin e rimëkëmbjes së vendit tonë, në të gjitha drejtimet. Mjafton të shtrohet pyetja: - “ç’do të ndodhte sikur, në vitin 1956, të jetësohej, si në të gjitha vendet homologe të Lindjes, ajo dukuri që u emërtua: destalinizim?
Gjer në rënien e komunizmit europian si sistem shoqëror në fuqi, kaluan edhe 34 vite të tjera. Gjatë këtij harku kohor prej 1/3-s së shekullit, në vendet në të cilat Stalini quhej “i Madh”, - nuk ishte më as i vogël, por veçse një terrorist që e kishte çuar “Perandorinë e Kuqe” në mjerim, se i ishin faktuar krimet e përbindshme, - në këto vende, pra, e gjithë bota po vërenin një frymëmarrje, njëfarë lirie relative, me lejimin e disidencës, me mehjen e dënimeve politike, me bashkëpunimin me vendet demokratike perëndimore, me kompeticionin bujqësor, që zëvendësoi kolkozet dhe kooperativat bujqësore të dështuara. Shkurt: ato vende patën një ecje përpara, në përqasje me sistemin e prapambetur politiko-shoqëror, tanimë të reformuar. Këto përparime nuk i bënin ato vende të trandeshin sado pak nga mallkimet tona, që i përgojonin me nofkën qesharake, si vende revizioniste! Karvani i tyre ecte përpara dhe lehjet e qenve, - ngordhalaqë e rakitikë, - as që i vinin fare në refené! Vitet Nëntëdhjetë i gjetën këto vende të parapërgatitura për të bërë lehtësisht atë hapin e madh historik të rënies së komunizmit në shkallë planetare.
Lulëzimi fiktiv i planeve pesëvjeçare dhe i lumturive vetëm në propagandën mashtruese, u thërrmua sepse aq mund të mbante propaganda hileqare . Pra, komunizmi dështoi në të gjithë rruzullin sepse nuk e përballoi dot më gjatë kompeticionin ekonomik me ekonominë e tregut. Në Bashkimin Sovjetik katërshja më e fortë përreth Stalinit, e përbërë nga Beria, Krushovi, Malenkovi dhe Bulganini po bisedonte nën zë se stalinizmi nuk mund të hiqej zvarrë më tej. I gjithë ai terror, në të cilin të katërt ishin përfshirë, qoftë edhe pa dashur, nuk kishte sjellë asnjë përparim ekonomik apo shoqëror. Nga ana tjetër ata të katërt, (pas atyre spastrimeve të njëpasnjëshme që çuan në botën tjetër miliona e miliona viktima, që nga kupola e plotfuqishme gjer në njerëzit më të thjeshtë), e kuptuan se radha u kishte ardhur atyre, tashmë. Prandaj dokumentet e fundit flasin për një vdekje jo të natyrshme të tiranit bolshevik.
***
Fill pas vdekjes së Stalinit, u ndërpre botimi i Veprave të tij (që kishin arritur gjer në vëllimin 13. Në prill dhe në maj të vitit 1953 emri i Stalinit u duk vetëm nja dy herë në “Pravda”, për të mos u përmendur më, në vijimësí. Kulti i Stalinit u denoncua zyrtarisht në Kongresin XX.
Enver Hoxha u bë me dy fytyra. E priti me gëzim të shtirë Krushovin, por ky ishte skile dhe e nuhati mungesën e sinqeritetit. Puna është se Enveri bëri disa kritika sa për sy e faqe kundër Stalinit, por nuk mund të hiqte dorë nga idiolatria për Stalinin. Këtë e dëshmuan statujat e diktatorit të BRSS-së, që nuk u lëvizën nga piedestalet tona. Interesat e B.S., në sistemin e ri politik të Krushovit, ishin të papajtueshme me interesat vetjake të Enverit. Doemos që do të vinte prishja me Bashkimin Sovjetik.
Pas prishjes me Kinën, E.H.-a mbeti nën guaskën e vetvetes dhe të bunkerëve të tij, që nuk mund të shërbenin (dhe nuk shërbyen, në fakt) veçse në vend të banjave WC. Vendi ynë quhej nga vendet e përparuara si një Shtet autarkik. Enveri kishte aleatë vetëm qylxhinjtë që vinin për pushimet beharore, si edhe për të marrë përsipër ngarkimin me Veprat e E.H.-s, që kishin mbetur stok.
Logjikisht destalinizimin në vendin tonë ishte më i motivuar, nga pikëpamja e interesave kombëtare, sesa në vendet homologe, pas rënies së figurës së Stalinit. Sepse ky e kishte trajtuar Shqipërinë si plaçkë tregu dhe ia kishte dhënë Jugosllavisë për gëlltitje. Këtë fjalë e njihte edhe enveristi Ramiz Alia, qysh në Kujtimet e tij të para. Atëherë përse u dashka ruajtur figura e një terroristi antishqiptar?
Kjo ka të bëjë me ruajtjen e karriges së Njëshit, në kupolën komuniste shqiptare.
Asnjëra nga vendet e Europës Lindore, nuk pati më si udhëheqës një stalinist, pas demaskimit të Stalinit në shkallë botërore. (Fidel Kastro dhe ndonjë tjetër përbëjnë përjashtimin, jo rregullin). Kjo do të thotë se Enveri iu ngul fort karriges së tij pushtetare, jo “parimeve”, për të qenë stalinisti i vetëm i shteteve europiane.
Sloganet groteske “edhe bar do të hamë, vetëm parimet nuk i lëshojmë” i bëjnë njerëzit me dy pare tru, që të qeshin hidhur. Se bar hante populli. Ndërsa bllokmenët e bllokmenet vinin jashtë shtetit për një lindje, për një dhëmballë, madje edhe për...vakanca! Ndërsa këtu u shtrëngua rripi gjer ku nuk mban më, për të marrë , në radhë që vazhdonin afër mëngjesit, edhe pak qumësht për fëmijën e sëmurë, gjë që shpesh njerëzit nuk e arrinin dot as këtë! Pas vitit 1956, që e kemi edhe në titull, Shqipëria, ky fanar ndriçues në botë(!), ishte në rrezik; prandaj duheshin shtrënguar radhët. Kjo thuhej për të përligjur terrorin e natyrës staliniane, domethënë në ekonomi, në administratën e lartë, në ajkën e ushtrisë, në industrinë e nxjerrjes së naftës, në kulturë. Në këtë të fundit, duhej dënuar i pari Ramiz Alia, jo Todi Lubonja e Fadil Paçrami, të cilët duhej të ishin në mbikëqyrje nga Ramizi dhe të udhëzoheshin nga ky, që i shpëtoi plumbit. Jo vetëm, por na u bë edhe zëvendësi, falë vithepërdredhjeve hipokrite dhe përkushtimit dashamirës të specialistes të luftës së klasave, Nexhmije Hoxhës. Tani Ramizi po i lan borxhet E.H.-s, në vend që pendesat e tij të mos kishin reshtje pendese ndaj të 5000 djelmoshave shqiptarë të Kosovës, të vrarë në luginat e Tivarit prej agucinëve mizorë të shokut të dashur e të adhuruar, Tito! Ja përse paskan vajtur përtej kufijve tanë veriorë forcat tona partizane, me urdhër të Komandantit Enver Hoxha dhe me komisar të Divizionit V., R. Alinë, të cilin koha e nxori diktatorin nr. 2, pas Enverit: që të dëshmojë se shqiptari i indoktrinuar e bën gjakun ujë përkundrejt krimeve të përbindshme të atyre që komunistët tanë i quanin vëllezër, ndërsa viktimat i quanin objekte për t’u lënë në harresë! Por dr. Berisha ua prishi gjakun atyre që s’kanë gjak shqiptari, me në krye Ramizin, se nuk do t’u shpëtojnë përgjegjësisë për krimet e pandëshkuara.
Tani për mjaft persona del edhe një pyetje: Përse, pas demaskimit të Stalinit si një xhelat që e çoi në zbrip të greminës Perandorinë e tij, të cilën e kishte amanet nga Pietri i Madh, Enver Hoxha hoqi dorë nga ditirambet për këtë xhelat? Sepse Stalinit i dolën të palarat? Aspak! Ai, Enveri, ishte vetë personifikimi i të palarave! Por Stalinit i doli edhe një pisllëk, që ka lidhje me kombin tonë: Ai ishte antishqiptar. Këtë nuk e dinë vetëm Eduard Kardelji, Milovan Gjilasi, Mosha Pijade, Molotovi në kujtimet e tij, por edhe Enver Hoxha e Ramiz Alia, që mëton se i njeh disa nga shkrimet e këtyre. E.H.-a e kishte të qartë se po të vazhdonte kulti i Stalinit, do të nxirrte antishqiptarizmin e vetvetes. Nuk u thuren osaná (lavdí) antishqiptarëve!
Pra, ruajtja e shtizës në thes, nuk u bë për ndonjë dashuri të veçantë ndaj Stalinit. Enveri bëhej edhe me djallin me brirë, mjafton që të mos luante nga vendi i kreut, në atë kolltuk! A mos ishte më i mirë për kombin tonë, mareshali Tito, të cilit Enveri nuk u tut që t’i dorëzonte ofiqin e Sekretarit I të KQ të P.Komuniste shqiptare, veprim të cilin s’e kishte bërë as Kuislingu ndaj Hitlerit? A ka kolaboracionizëm më të thershëm se kaq?
Mbajtja e pushtetit me çdo kusht është një sëmundje endemike e komunizmit. Të gjitha krimet e Enverit e kanë origjinën te zanatçillëqet e Stalinit. Por Enveri ia kaloi edhe zanatçiut, sepse i spastroi me kohë ata që i bënin hije, për nga kultura, inteligjenca, ndjenja kombëtare. Mbeti vetëm me Lenkat, Palët, Muhot, Ritat, Pilot.... Këtë donte të bënte edhe Stalini, para marsit të vitit 1953. Në librat më të rëndësishëm për historinë e totalitarizmit sovjetik, vihet re prirja e Stalinit për t’i ndarë komunistët në “të vjetër” e në “të rinj”. “Të vjetrit” i kishte kositur thuajse tërësisht. Tani donte të pleqëronte i qetë, me të rinjtë e ngritur nga hiçi. Para 5 marsit mortor, ajo katërshja për të cilën folëm e nuhati qartësisht se Stalini donte t’i hiqte qafet. Por ajo nuk ishte një katërshe alla-Pali. Ajo ishte një katërshe mjeshtrash të hileve staliniane. Kështu ajo ia mori në kthesë dhe erdhi një periudhë tjetër e epokës passtaliniane.
Që të themi edhe diçka më shumë për atë destalinizimin e fundviteve Pesëdhjetë, që nuk u jetësua në vendin tonë, për çështje të ruajtjes së pushtetit absolut me çdo kusht, duhet të përmendim edhe disa pasoja të rënda: Nga ajo kohë, gjer në vitin 1990 kaloi pak më shumë se një e treta e shekullit. E gjithë kjo kohë në diktaturën enveriste, me një diktator të ri, në vend të të vjetrit. Në vendet homologe kishte një liri relative, pa gjyqe politike. Në vendin tonë vazhdoi skëterra komuniste, me ekzekutime poetësh, gjer në prag të rënies së komunizmit. Gjatë këtyre 34 viteve të mungesës së lirisë, vazhduan gjyqet politike, dënimi i të pafajshmëve, kampet masive të internimeve, spiunllëqet, leverditë e njerëzve pa karakter, e njëqind simptoma të tjera të një vendi në mjerim ekonomik. Ai çekani i rëndë i indoktrinimit binte pa pra në mendjet e trushkulurve dhe të përfituesve të kohës. Pati kohën e volitshme kjo diktaturë në vijim, që të gatuante me hithra e me barëra të këqija (që ishin ushqimi i ditës), atë çorbë të pështirë të nostalgjisë, që është sot dukuria më zvarritëse, më antidemokratike, më antiperëndimore, që na dallon nga të gjitha vendet e tjera, që vuajtën komunizmin, vërtet, por patën édhe një gjysmë çlirim nga ai destalinizimi, që nuk patëm fatin ta shijonim edhe ne.
Kjo nostalgji gangrenoze na çon edhe në reminishenca: Kujtojmë ngulmimin enverist për të mbajtur pushtetin me çdo kusht pas ’56-s, kur e mira e atdheut do të thërriste për diçka ndryshe. Por po shohim edhe sot e kësaj dite një individ të paskrupullt që po shkel me këmbë çdo akt ligjor për të mbajtur me çdo kusht kreun e një partie që po bëhet e dëmshme për të ardhmen europiane të vendit tonë. Ky individ, Edvin Rama, po ecën nën gjurmët e të parëve, në shkeljen e ligjshmërisë: Shkeli nenin 28 të Statusit të PS-së. Shkeli të drejtën ligjore të deputetëve të PS-së, për të bërë betimin në kohën e duhur në Parlament. Shkeli ligjin e grevave, që s’mund të bëhen në mes të bulevardit, siç ndodh edhe në vendet e tjera të botës demokratike (A njohin ndonjë vend të tillë, nostalgjikët tanë?). Vazhdon të shkelë rregullat ligjorë të bllokimit të trafikut, pa asnjë paralajmërim preventiv. Shkel ligjshmërinë e Kodit Zgjedhor, (të firmosur prej tij), për të drejtën e lirimit të kutive të votimeve (jo të materialeve zgjedhore), që ato të jenë të gatshme për zgjedhjet pasardhëse. Jep ultimatume, të papranueshme kur këto bien ndesh me ligjet e shtetit. ç’kërkohet? Një shtet antiligjor, kur po luftohet për konsolidimin e shtetit ligjor?
A e ka shkelur me të dy këmbët E. Rama Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit Europian për dënimin e krimeve të totalitarizmit nazifashist dhe të totalitarizmit komunist?
Ja dëmet e nostalgjisë, specifike për vendin tonë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›