Rama, në Evropë, kërkon një restorant për të blerë një tjetër darkë
Pas dështimit të grevës dhe protestave, Edi Rama s’ka më kohë dhe po bredh nëpër Evropë, për të gjetur një tjetër restorant me ndërmjetës ndërkombëtarë, në të cilën do të mbahet darka tjetër, me synimin për ta mbajtur gjallë politikisht. Ai ka shpallur 22 qershorin si datën e duhur për darkën shpëtimtare, por ende s’ka gjetur as interolukutorin ndërkombëtar e as ka gjetur konsensusin tek pala tjetër në Shqipëri
Pilafi s’mban më ujë dhe Edi Ramës i duhet një ndërmjetës i ri ndërkombëtar, në mënyrë që të paqtojë rezistencën e fortë që ka lindur brenda strukturave të partisë. Për këtë shkak, me Erion Velinë dhe Endri Fugën, dy “flakët” e tij të fundit, kryetari i PS është nisur nëpër Evropë, për të testuar mundësitë që si mund të blejë rastin e një “krokodili 2”. Nevoja për një darkë të re me liderin e mazhorancës, në prani të ndonjë autoriteti ndërkombëtar, do të shoqërohet më tej me një axhendë të brendshme politike, e cila mund ta mbajë gjallë liderin e opozitës pa ndonjë votëbesim të mundshëm, të paktën deri tek batutat e fundit të Kodit të ardhshëm Zgjedhor (në rast se ai me të vërtetë i dëshiron këto ndryshime ligjore), pozicion në të cilin ai do të ketë mundësi të rinegociojë edhe njëherë, të gjitha kandidaturat për në bashkitë qendrore të vendit, afërmendsh, me një rritje eksponenciale të bakshishit të kërkuar. Meqenëse Strasburgut dhe Francës, ngjan se i ra sharmi i surprizës, kërkimi për blerjen e një restoranti e të një dreke të re ka nisur në Britani. Së pari po kërkohet ndërmjetësi ndërkombëtar, i cili do të mundet t’i mbushë mendjen kryeministrit të Shqipërisë të marrë pjesë në një tjetër darkë pa bereqet, e më pas edhe do të identifikohet restoranti i duhur, tek i cili, mediat do të kenë rëndësi të memorizojnë Edi Ramën si politikan të rëndësishëm në krah të Sali Berishës, si një mesazh i qartë për rishtarët brenda PS-së se ai ende është i fortë dhe se ndërkombëtarisht s’është aq i izoluar sa e bëjnë Kastriot Islami, Ben Blushi e ndonjë tjetër.
Situata qesharake e kërkimit me qiri të një tjetër darke, e cila do të mund ta mbajë gjallë politikisht Edi Ramën po shoqërohet me një tjetër fushatë thashethemesh nëpër mejhanet mediatike të Tiranës. Data 22 qershor është artikuluar si një datë e duhur, që gjoja u kërkoka nga ndërkombëtarët si momenti i duhur që Edi Rama të ulet për “marrëveshjen e madhe” me kryeministrin e Shqipërisë. Dalja fiktive e datës së 22 qershorit është krejt si artikulimi i 5 majit të ardhshëm si data për mbajtjen e zgjedhjeve vendore, që të gjitha produkte të fantazisë së sëmurë dhe momentit të vështirë politik që po kalon kryetari ende në detyrë i Bashkisë së Tiranës. Dje s’ka pasur shumë hollësi për lobingun socialist për identifikimin e një restoranti në Britaninë e Madhe, prandaj edhe zyra e shtypit e PS e ka pasur shumë të vështirë që të tregojë se cili do të jetë stacioni i ardhshëm i dërgatës Edi Rama dhe dy “zjarret” e tij të fundit. Fjalët e korridoreve flasin se po fiton teza e identifikimit të një restoranti në Bruksel, atje ku edhe ndërmjetësit politikë gjenden me çmime më të lira, ku vetë Edi Rama mund të kryejë edhe ndonjë mision tjetër privat dhe ku Sali Berisha mund ta shfrytëzojë rastin për një tjetër lobing pranë europarlamentarëve, në prag të miratimit të rezolutës për akordimin Shqipërisë, të statusit të vendit kandidat.
I gjithë mjerimi i dërgatës së majtë, po u tregon ndërkombëtarëve se sa poshtë ka rënë opozita ylberiste e Edi Ramës, por aq i bën atij, Erionit dhe Endrit, mjaft që ata të marrin premtimin për praninë në darkën e shumëpritur. Prania do të ishte si një reanimacion, për një parti që nën drejtimin e Ramës ka qenë rregullisht një kufomë politike.