PS - grushtbashkuar rreth Ramiz Alisë - vetëshpallet kundër hetimit të masakrës së Tivarit

Edhe pse s’është formalizuar kërkesa e deputetëve të PD-së për ngritjen e një komisioni hetimor për vënien para përgjegjësisë të autorëve që shkaktuan masakrën e Tivarit, socialistët paraprakisht kanë deklaruar se s’e shohin me vend ngritjen e këtij komisioni, se ai po bëhet thjesht për të tërhequr vëmendjen dhe se ata s’kanë ndërmend të bashkëpunojnë në një hetim të tillë. Qendrimi është thënë në linjë jozyrtare në disa prej të përditshmeve kryesore të vendit, të cilat po orientohen që të intervistojnë sa të munden më shpesh Ramiz Alinë, teksa thotë se e dogji malli të takohet njëherë me Edi Ramën. Deklarata e Alisë shoqërohet më pas me foton e të kudondodhurit Fatmir Toçi, i cili kryen edhe ndërmjetësin mes Edvinit dhe Alisë, por edhe me foton e Besnik Bares, i cili në një takim që ka patur me diktatorin Alia, jo veç i ka folur për rrënjën kriminale të së shkuarës së tij, por edhe garancitë e Edi Ramës se do të bëhet çmos që hetimi parlamentar të mos ndodhë, ose edhe po ndodhi, patriarkut-diktator e bizneseve të tij të mos u ndodhë asgjë. Edhe pse më herët, PS kishte pasur njëfarë skrupulli që të mos identifikohej shumë me të shkuarën komuniste, por tashmë, nën shembullin e “Gay Pride”, po lind lëvizja “komunist pride”, në të cilën shihen funksionalisht edhe Besnik Bare, edhe Ramiz Alia, edhe Fatmir Toçi, edhe Servet Pëllumbi, edhe Erion Braçe, edhe Fidel Ylli. Kjo krenari e të qenit komunist është një zhvillim i ri tek e majta dhe Ramiz Alia është shndërruar papritur në epiqendrën e këtij rezistence... Le ta mbrojë Ramizin, nipi i Spiro Kolekës, pasi beteja ka për të qenë një karikaturë e përplasjes së madhe të 1990-s, e cila i hodhi komunistët e brezit të parë në koshin e historisë... E gjithë pikëpyetja është se ku të gjendet ndonjë nën-kosh për të flakur komunistët e brezit të dytë...