Edi Rama, në Londër për të marrë ekspertizë për pilotimin e medieve
është e çuditshme por e vërtetë. Askush nuk skandalizohet për faktin që lideri i partisë socialiste, i opozitës shqiptare, kryetari i bashkisë Tiranë (sa tituj?!), Edi Rama shkon në Londër për të pajtuar një ekspertizë të huaj për të manipuluar mediet, dhe nëpërmjet saj elektoratin, duke parë se i mungon vizioni i duhur dhe një program qeverisës. E gjithë loja e tij politike përqendrohet tek imazhi, fasada, tek dukja, pasi i mungon baza fillore e politikës.
Natyrisht nuk hedhim dyshime mbi takimin dhe mbi profesionalizmin e gazetarit majtist Alastair Campbell (ish-këshilltari i kryeministrit Neil Kinnock dhe shefi për mediet i ish-kryeministrit britanik Toni Bler); por ndofta ai nuk e ka të qartë se me çfarë mono-maniakali ka të bëjë kur flitet për pilotimin e medieve. Ndofta Edvin Rama kërkon të gjejë e përdorë teknika të reja për mistifikimin e realitetit. Alastair Campbell nuk e di apo bën sikur nuk e di që Edi Rama ka një raport mono-maniakal me mediet, bile shumë të rrezikshëm, jo vetëm për mediet të cilat i kontrollon deri në detaje (edhe titujt e ballinave dërgohen me sms), por edhe për daljen në pah të natyrës së tij censuruese e autoritariste, derisa filloi trukimin e kronikave të fushatës duke nxjerrë jashtë loje besueshmërinë e medies. Ai është njeriu dhe a-politikani që kontrollon mediat me dorë diktatori për të paraqitur e trukuar imazhin e vet. Më saktë Edi Rama është vetëm një produkt mediatik. Po ta lexosh me imtësi karrierën e Edi Ramës, lehtësisht mund të arrish konkluzionet se përgjithësisht është një kryevepër e mediokritetit, i paaftë, pa vizion, me akuza të forta për korrupsion me lejet e ndërtimit.
Ndonëse karriera e tij politike ka ecur vetëm dhe thjesht për shkak të medieve, ose me saktë Edi Rama i ka shfrytëzuar dhe përdorur këto media për të “shitur” veten tek publiku, jo edhe aq për punë apo vizionin e tij, sesa me marifete të tjera qysh në zanafillë biçim snobizmash dhe vulgaritet modernistesh nëpër ekrane të lira për të “fituar” vëmendjen e publikut.
Gjithsesi ai në kryeqytetin e Anglisë nuk takoi vetëm ekspertin e makiazhit mediatik Campell, por edhe ish-kryeministrin laburist Toni Bler, natyrisht për t’i marrë hua atij idenë e “Rrugës së tretë” ose siç e quajti Rama shqip “përtej të majtës dhe të djathtës”, një slogan i përdorur për të treguar reformimin e Partisë Socialiste dhe të së majtës në periudhën post-Nano. “Rruga e tretë”, një koncept i ideuar nga sociologu Anthony Giddens njëherësh këshilltar i Toni Bler, që në zbatimin e kësaj formule politike, doli e dështuar, pasi sot laburistët janë në opozitë, për shkak të krizës ekonomike që shkaktuan me politikën e tyre të “Big government” ose shqip “Shtetit të Madh”. Të kuptohemi “New Labour” e Toni Bler, e frymëzuar nga Giddens, shpalli se lufta e klasave ka mbaruar, konflikti midis liberalizmit dhe socializmit duhet të përfundonte, shteti në kushtet e globalizmit nuk mund të krijonte më solidaritetin komunitar, prandaj ishte koha për një “Socializëm Liberal”.
Por Anglia është Britania, kurse Shqipëria është ajo që ne njohim ditë për ditë. Prandaj “Rruga e tretë” e partisë së punës britanike ka falimentuar gjerësisht dhe vetëm dje kryeministri konservator i sapoemëruar foli për “sakrifica të mëdha” të kombit britanik, për shkak të krizës ekonomike dhe politikave të gabuara laburiste në ekonomi. Prandaj Edi Rama gabon duke marrë shabllone të dështuara qeverisëse, pasi është sikur të kërkosh litarin në shtëpinë e një të sapovaruri, si Gordon Broun.
Në këtë këndvështrim, një platformë përtej të majtës dhe të djathtës në Shqipëri doli të ishte inekzistente sepse në thelb në Shqipëri nuk ka përse të shkaktohet krijimin e një tymnaje të re të paarsyeshme, sepse në fund të fundit elektoratit shqiptar tani për tani i intereson plotësimi i nevojave të tij më jetike, liberalizimi i vizave, siguria e jetës së çdo individi, rritja e nivelit të arsimimit, rritja e nivelit ekonomik, ulja e papunësisë, pra me pak fjalë përmirësimi i jetës në një nivel mbi-mesatar (niveli i sotëm është afër mesatares). Përballë këtyre edhe shumë nevojave të tjerave të shqiptarëve, nuk mendohet se qëndron e ardhmja elektorale e partive apo bashkimi a ndarja e ideologjive politike te tyre.
Edi Rama ka vetëm propagandë që shpeshherë me frymëzim dhe fjalë nga diktatura komuniste, tenton të gënjejë shqiptarët që të realizojë synimin e tij për karrigen, të cilën kërkon ta marrë me çdo çmim dhe kusht, dhe kjo është diçka tjetër shqetësuese.