E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatbardh Jera: Në Euro 2012, ripamë kasetën Botërorit 2010

/* */

(Dash Frasheri, Gazeta TELEGRAF) -  Fatbardh Jera (51 vjeç), ish-futbollisti polivalent i Vlllaznisë (1979-1990) dhe i Kombëtares (15 ndeshje, 1985-1990), kampion i vendit (1982-1983) dhe dy herë fitues i Kupës së Shqipërisë (1981, 1987), në analizën e tij të hollësishme për ecurinë e Shqipërisë në eleminatoret e Kampionati Europian 2012, deklaroi se përfaqësuesja jonë ende vuan nga mungesa e vazhdimësisë në lojë.

“Në shumë raste na ndëshkuan gabimet tona fatale, duke mos u treguar profesionistë të vërtetë në fushën e lojës”, - tha për “Telegraf”, “Mjeshtri i Sportit”, me një të kaluar futbollistike pesëvjeçare edhe në Austri. Shqipëria i mbylli eliminatoret në vendin e parafundit në grupin D, duke grumbulluar vetëm 9 pikë nga 10 ndeshjet, e duke pasur një bilanc jo të kënaqshëm: 2 fitore, 3 barazime dhe 5 humbje. “Nëse do të duam të kemi një Kombëtare të qëndrueshme në lojë dhe rezultate, duhet të nisim të ndërtojmë themele të forta”, - thekson shkodrani Jera, tani një biznesmen i suksesshëm në fushën e ndërtimeve.

 

Jera, sapo u mbyll fushata kualifikuese e Euro 2012-s. Me syrin e një specialisti dhe një njohësi të mirë të Kombëtares, si do ta gjykonit ecurinë e Shqipërisë?

Në një vlerësim të shpejtë, do të nxirrja konkluzionin, se është një përsëritje e sezonit të kaluar. Me një përkufizim më folklorik: ripamë të njëjtën kasetë. Sërish në vendin e parafundit, ashtu si dhe në fushatën kualifikuese të Botërorit 2010. Për të bërë diçka ndryshe, duhet të mendojnë të gjithë aktorët, duke u nisur nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe deri të shteti shqiptar.

Në çfarë këndvështrimi?

Federata ka investuar me fondet e saj në futbollin shqiptar dhe është për t’u lavdëruar për punën e saj. Mendoj se dhe shteti duhet të jetë një mbështetës i madh i futbollit, ashtu siç ndodh në gjithë botën, për të bërë një hap progresiv, aq i domosdoshëm në cilësinë e futbollit tonë. Në botë ka eksperienca të ndryshme pozitive. Unë besoj se jemi në gjendje për t’i “përkthyer” ato.

Si do ta vlerësonit punën trajnerit Josip Kuzhe?

Mendoj se ka bërë një punë të mirë, pavarësisht fatkeqësisë së tij shëndetsore në mes të edicionit, gjë që mendoj se e penalizoi atë, por indirekt besoj edhe ekipin tonë. Unë do ta konsideroja humbjen me Luksemburgun, një pikë kyçe në këtë edicion, gjithmonë në funksion të objektivave. Si konkluzion, do të pohoja, se nëse do të duam të kemi një Kombëtare të qëndrueshme në lojë dhe rezultatet duhet të nisim të ndërtojmë themele të forta. Infrastruktura është baza për një futboll dhe zhvillim cilësor të sportistëve.

E nisim me entuziazëm edicionin, por e përfundojmë me zhgënjim. Përse ky ritual?

Është një sëmundje që duhet ta shërojmë me çdo kusht. Më lejoni t’u referohem dy trajnerëvë të edicioneve të fundit, pra të Oto Bariçit dhe Josip Kuzhesë. Mendoj se të dy kanë qenë trajnerë të mirë. Kanë sjellë eksperiencat e tyre të çmuara. Fillimet i kanë të njëjta, mjaft të mbara, por u ka munguar vazhdimësia, edhe për faktorë të brendshëm që nuk lidhen me ata.

Presidenti i FSHF-së, Armando Duka bëri bashkëfajtorë Federatën, trajnerin dhe lojtarët për dështimin në këtë edicion. Si do ta komentonit?

Gjithmonë do ta kemi vështirë nëse nuk do të ndërtojmë një strategji të qartë dhe nuk do të kemi një plan afatgjatë, të paktën 7-8-vjeçar. Nisur nga ky vlerësim, mendoj se duhet të punojmë që në qelizë. Nuk duhet të mblidhemi sot, e të mendojmë vetëm për nesër. Duhet vizion dhe parë larg.

Çfarë na mungon?

Gjykoj se ka një mungesë fryme ndërtimi te ekipi ynë Kombëtar. Është e vërtetë, se lojtarë që luajnë jashtë kanë më shumë eksperiencë, forcë, vrull dhe profesionalizëm, por mendoj se dhe lojtarë të kampionatit shqiptar, të cilët gëzojnë një formë shumë të mirë të momentit duhen afruar.

Përsë e thoni?

Në ekipin përfaqësues, nuk mund ta fillosh me një grup lojtarësh dhe ta përfundosh me të, pasi ndeshjet zhvillohen në harkun e dy viteve. Duhet kuptuar qartë dhe kjo është e natyrshme në futboll, çdo lojtar ka një fillim dhe një fund. Jemi dëmtuar jo pak. Kjo u ka mohuar hapësirat lojtarëvë të rinj.

A kishit besuar në një revolucion të Kuzhesë?

Kur Josip Kuzhe mori drejtimin e Kombëtares sonë (maj 2009), krijova bindjen se ai do të ndërmerrte rifreskimin e ekipit Kombëtar, kishte preferencën për ta bërë këtë. Gjithsesi, nuk e di se për çfarë arsyesh ai nuk e hodhi këtë hap. Do ta konsideroj një defekt tonin, pasi ne nuk i kemi mundësitë që çdo ditë të prodhojmë lojtarë, kjo për faktin se nuk kemi shumë sportistë cilësorë. Duhet t’i shfrytëzojmë në momentet që ata dalin.  

Në ç’mënyrë?

Më lejoni t’ua ilustroj. Nuk është e nevojshme, që Elis Bakaj të luaj si titullar në moshën 24 vjeç, kur ai ka qenë promotor të gjitha ekipet zinxhir të Kombëtares dhe është prej pjesë e ekipit A dhe sot luan te Dinamo e Bukureshtit. E njëjta vlen edhe për Jahmir Hykën, një tjetër talent. Nëse do të merrnim një krahasim nga Brazili i madh, i cili ka mijëra futbollistë cilësorë, po i beson një 18-vjeçari si Nejmar. Atje nuk ka iluzione mbi moshën e lojtarit, por shihen vlerat që ai ka. Duhet të jemi më “xhentëlmenë” me të rinjtë.

 

VLERËSIMI PËR TRAJNERËT E HUAJ

XHUZEPE DOSENA

“Erdhi dhe iku shumë shpejt. Mendoj se Shqipërinë e përdori si trampolinë të tij për ndonjë qëllim të caktuar”.

HANS-PETER BRIGEL

“Shumë i disiplinuar, por mendoj se nuk ishte tipi i një trajneri të një ekipi kombëtar për të cilin kemi nevojë”.

OTO BARIÇ

“Ka qenë ndoshta trajneri më i mirë që ka ardhur në Shqipëri, por mbërriti në limitet e karrierës së tij”

ARI HAN

“Nuk mund ta gjykosh plotësisht, nëse ai dha apo mori më shumë nga Shqipëria. Një trajner kontravers”.

JOSIP KUZHE

“Një trajner i mirë. U përpoq të bënte shumë për Shqipërinë, por shpesh nuk guxoi të shprehej plotësisht”.

Si i pashë kundërshtarët

FRANCA

“Ndaj Francës në ndeshjen e parë, në Tiranë, luftuam mjaft fort, sidomos në pjesën e dytë. Në ndeshjen e kthimit në Paris, bëmë gabime të pafalshme, dhe jo në një rast, por në të tre golat e pësuar”.

BOSNJA

“Bosnja ka qenë pjesë e shkollës së njohur futbollistike të ish-Jugosllavisë. Ka një kulturë të jashtëzakonshem futbolli. Janë në ngjitje të përhershme dhe këtë e tregoi edhe vendi i dytë i saj në grupin tonë”

RUMANIA

“Nuk ka asnjë diskutim, që Rumania është një ekip që di të luajë futboll. Në këtë fazë eliminatore rumunët kanë qenë në periudhën më të errët të tyre. E them me plot bindje se kemi qenë të barabartë me të”.

BJELLORUSIA

“Mendoj se Bjellorusia pati fatin e madh që mundi Francën në Paris. Në Bjellorusi, ne bëmë një nga ndeshjet më të dobëta, ndërsa në Tiranë, ne bëmë një nga lojërat më të bukura të Kombëtares”.

LUKSEMBURGU

“Humbja me Luksemburgun na zhvlerësoi shumë. Për Shqipërinë nuk ka ekipe të vogla apo të mëdha. Duhet vlerësuar me të njëjtin impenjim maksimal, si Franca e madhe, ashtu dhe Luksemburgu modest”.

Top-11

Fatbardh Jera, i zgjedhur në 11-shin më të mirë historik të Vllaznisë, gjatë 90 viteve futbollistike të saj, është një nga figurat më të njohura të futbollit shkodran. “Kam luajtur për një periudhë 12 vjeçare me Vllazninë, 1979-1990. E kam nisur me trajnerin Xhevdet Shaqiri, për të vazhduar më pas me Rramazan Ragamin. Kam pasur fatin të luaj me Medin Zhegën e madh, por dhe me emra të të tjerë të rëndë si Sabah Bizi, i cili më ka dhënë dhe fanelën me numrin 14”, - tregon Jera, kampion në sezonin 1982-1983 dhe fitues i Kupës 1981 dhe 1987. “Kam luajtur me futbollistë që kanë lënë gjurmë në futbollin shkodran dhe kombëtar, si Ferid Ragami, Astrit Hafizi, Hysen Dedja, Hysen Zmijani, Luan Vukatana, Roland Luçi”. Jera ka qenë pjesë e Vllaznisë në shumë ndeshje ndërkombëtare, madje edhe ka shënuar gol kundër maltezëve të Sliema Uonderes (1987).

Shpresa, e 8-ta në Europë

Jera ka qenë pjesë e ekipit Kombëtar Shpresa, skuadrës së drejtuar nga Ramazan Ragami, e që eliminoi Gjermaninë (dy barazime 1-1) në vitin 1983 dhe u rendit midis tetë më të mirave në Europë të Kampionati Europian të Shpresave të vitit 1984, duke u eliminuar nga Italia (dy humbje 1-0). “Është momenti më kulminant i futbollit shqiptar në Europë. Kemi qenë një grup i jashtëzakonshëm: Demollari, Zmijani, Josa, Kushta, Ocelli, Hodja, Canaj etj. Na eliminoi Italia me Mançinin në fushë.”.

15 ndeshje me Kombëtaren

Fatbardh Jera ka qenë pjesë e ekipit kombëtar të Shqipërisë në periudhën 1985-1990, duke zhvilluar 15 ndeshje me përfaqësuesen. Në listën e takimeve të tij janë ato kundër Turqisë (0-0), Polonisë (0-1, 1-2), Spanjës (1-2), Rumanisë (1-5, 0-3), Austrisë (0-1), Kubës (0-0), Suedisë (1-2, 1-3), Greqisë (1-1), Anglisë (0-2, 0-5), Islandës (0-2). Trajnerë ka pasur Agron Sulajn dhe Shqyqyri Rrelin. “Kam luajtur kundër Butragenjos së Spanjës, Linekerit të Anglisë dhe Bonjekut të Polonisë”, - thotë Jera.

Trajner shqiptar, apo i huaj?

Tema më e nxehtë në kampin e Kombëtares është çështja e trajnerit. A duhet të vazhdojmë me trajnerë të huaj, apo ka ardhur koha për një teknik shqiptar? Jera: “Shqipëria ka pasur disa trajnerë të zotë, të cilët e kanë njohur mirë mentalitetin shqiptar. Mendoj se Besnik Hasi, Bledar Kola, apo dhe Rudi Vata mund të japin shumë për ekipin kombëtar”.

Brezi i vjetër-brezi i ri

Nga përfaqësuesja pritet të largohen disa lojtarë “mbi moshë” dhe priten të vijë gjak i ri, apo “këmbë të freskëta”. Roshi, Lilaj dhe Januzi priten të zënë vendin e Duros, Skelës dhe Bogdanit. Jera: “Shembullin më të bukur e dha Odise Roshi. Të njëjtën përformancë e kanë dhënë edhe Hyka dhe Bakaj. Shpresoj që kjo vazhdimësi të pasohet edhe me lojtarë të tjerë”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›