E Diel, 1 Nëntor 2026

Revolucioni bashkiak, Vllaznia paguhet 400 milionë lekë për 6 muaj

Bashkia e Shkodrës bën publike për mediat shifrat që shpenzon për skuadrën kuqeblu. Sukaj lojtari që paguhet më shumë me 2500 euro në muaj

Në Shkodër Vllaznia është një fe më vete që bashkon të gjtihë qytetin verlindor, ndaj edhe bashkia ka vendosur që ta trajtojë me kujdes dashurinë e madhe të qytetarëve të saj. Prandaj mund të quhet kjo një risi e vërtetë, më e madhja në futbollin shqiptar të klubeve. Bashkia e Shkodrës ka treguar xhepat duke zbardhur për mediat dhe publikun borderonë e rrogave të lojtarëve dhe stafit teknik, si dhe shpenzimet për mbajtjen e klubit të futbollit. Në raportin e nxjerrë nga bashkia e qytetit veriperëndimor të Shqipërisë del se lojtari më i paguar tek kuqeblutë është sulmuesi Xhevahir Sukaj, që përfiton një rrogë mujore prej 2 500 eurosh. Pas tij, vijnë dy malazezë, portieri Vujadinoviç me rrogë mujore 2 200 euro dhe mbrojtësi Popoviç që përfiton 2 000. Simboli i skuadrës, kapiteni Vioresin Sinani, “peshohet” në lekë, jo në euro, dhe sipas kësaj transparence, del se përfiton 200 mijë lekë të reja në muaj. Të 26 futbollistët i kushtojnë Bashkisë shkodrane 12 848 744 lekë të reja, ndërsa për trajnerin Josa është në fuqi kontrata me 1 500 euro mujore. Në tërësi, stafi teknik prej 6 personash kushton 2 028 240 lekë. Krejt mbajtja e klubit të futbollit është parashikuar të kushtojë rreth 40 milionë lekë të reja në periudhën nga gushti i këtij viti deri në 10 janar të vitit të ardhshëm. Shifra e saktë është 38 858 632 lekë, nga e cila 12 848 744 lekë janë për rrogat e lojtarëve dhe pjesa tjetër, 20 542 772 lekë janë për stafin teknik, administratën. Por janë edhe shpenzime për trajtim ushqimor prej 924 000 lekësh në 4 muaj dhe për qira shtëpish që shkojnë në 901 mijë lekë po për 4 muaj. Vllaznia është kthyer në shoqëri aksionere gjatë verës, kur edhe u largua presidenti dhe sponsori Fushaj, dhe Bashkia është aksionerja e vetme e saj tani për tani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›