Fati i Isaleos dhe kutitë e votimit
Ferdinand Dervishi
Ndodh shpesh që dita e nisur me vrer të përfundojë po kështu. Sot në mëngjes, në një rrugë të Tiranës, më bëri përshtypje një fëmijë rom, i cili u kërkonte shoferëve të autoveturave ta lejonin të kalonte në anën tjetër të rrugës. Këta, duke kujtuar se ai u afrohej për lëmoshë, shtrëngonin gazin. Kështu bëra edhe unë. Por kur kalova pranë e dëgjova lutjen “xhaxhi të kaloj pak” dhe kur bishti i syrit më kapi edhe veshjen e rregullt e të pastër, e kuptova se për njeriun që unë përbëj brenda një lëkure të bardhë, përmbajtja e ditës do ishte e zezë. Në vazhdim u përpoqa të qetësoja veten, duke i dhënë të drejtë udhe vetëm mendimit autoqetësues se gjithçka ishte një keqkuptim dhe se vërtet lypsarët, shumica me lëkurë të zeshkët, janë të bezdisur në semaforë.
Dhjetë minuta më vonë, isha në redaksi, ku mora tufën e gazetave qendrore. Shumica e titujve kryesorë sillen rreth debatit të provokuar nga votimet e një viti më parë, saktësisht përmbajtjes së kutive ku ruhen fletë-votimet dhe materialet e tjera, përveç, njërit te “Panorama”. “Isaleo, historia e fëmijës së braktisur mes mbeturinash”, ishte titulli i shkrimit të Qemal Birakut, korrespondentit nga Vlora. Isaleo, heroi i shkrimit ishte vetëm dy vjeç, në foto një mashkull bukurosh me biberon në gojë, në pamje të parë i rritur mirë. Isaleo është një fëmijë i bardhë i braktisur nga e ëma, pas lindjes, në një kosh plehrash në Vlorë. I ati i ardhshëm, një rom që mblidhte mbetje metalike në koshat e plehrave, të cilin fatmirësisht Zoti e kishte gëzuar me tre fëmijë të tijët, e gjen gati të vdekur, gjysmë të asfiksuar nga mbeturinat që e mbulonin, e çon me urgjencë në shtëpi, i shpëton jetën duke e zhytur në ujë të ngrohtë dhe më tej e birëson, e rrit dhe dëshmon se e do njëlloj si edhe fëmijët e tjerë të tij. Thotë se do e rritë duke u lodhur më shumë, duke punuar me orar më të zgjatur në mbledhjen e kanoçeve e mbeturinave të tjera të metalta në koshat e plehrave...
Na ndodh që edhe neve, njerëzve të futur në lëkurë të bardhë, të na mbushen ndonjëherë sytë me lot. Aspak vetëm sepse vazhdimi racial i mendimit thotë se Isaleo, fëmija i bardhë me emër të kopjuar, sipas të atit, nga një këngëtar i njohur grek, do të rritet në mjerim. Pastaj, kur të mbushë 5 vjeç do të dalë me një trastë të vogël të mbledhë kanoçe si i ati, do mbetet pa shkollë e të tjera, e të tjera, pa marrë nga jeta të gjitha ato që ajo ofron. Të paktën këtë vijim dikton mëngjesi i jetës së tij. Fati i tij.
Sepse jashtë qerthullit të pashmangshëm të nocionit “fat”, atë nuk ka kush ta ndihmojë. Edhe pse Isaleo nuk është një rast i veçuar, i rastësishëm, një kuriozitet. Dhjetëra fëmijë si ai, të lindur nënshtetas shqiptarë, vazhdojnë të braktisen në koshat e plehrave, në shumicën e rasteve në maternitete. Ku ca organizata fantazmë, gjysmë ilegale, gjysmë kriminale, i birësojnë s’dihet se ku, sigurisht sërish në mëshirë të fatit. Fatit të zi të fëmijëve pa prindër.
Kaq për fatin. Sepse dihet që fati, në shoqërinë e organizuar njerëzore, diku ndërpritet. Fatit diku i thuhet “boll”, “deri këtu”, dhe vazhdimësia e jetës së fëmijëve të rastit të Isaleos kalon në duar të ndryshme. Birësimet e tyre shoshiten mirë e kalojnë në vrimë të gjilpërës, punonjës socialë i ndjekin nga pas derisa të arrijnë moshën madhore, të mbarojnë arsimimin dhe të sistemohen në një punë. Dhe nëse dikush u pret rrugën e i nëpërkëmb, për çfarëdolloj qëllimi, këta punonjës socialë veprojnë me një vendimmarrje dhe imunitet të padiskutueshëm. Thjesht, në mbrojtje të të drejtave të tyre, të thyejnë brinjët.
Por në terrenin shqiptar rezulton se fatet e zeza të këtyre fëmijëve, vendosur përballë shoqërisë sonë të pretenduar si e organizuar, nuk janë ndërprerë. Të kësaj shoqërie që pretendon se ka hedhur hapa për t’u inkuadruar në Evropën e qytetëruar, të premtuar e stërpremtuar prej gati 15 vjetësh. Kuptohet se problemet janë sërish në mendjen e atyre “të zgjedhurve” që komandojnë këtë vend, të të gjitha palëve. Të atyre që shpenzojnë miliona euro dhe miliarda kuaj/fuqi energji njerëzore në sherr për pushtetin, si për shembull nëpër angazhime manifestimesh për atë çështjen e mallkuar të kutive të votimeve, të një viti më parë. Të holla që në një tjetër klimë, në një tjetër zbaticë vranësirash, mund të dilnin e të tepronin me shumicë për trajtimin njerëzor të Isaleos e të të braktisurve të tjerë, përfshirë ata që na trokasin përditë te xhami i makinës duke kërkuar qindarka. Të holla që mund të kishin devijuar fatin e tyre të zi. Që mesa duket i ka të gjitha shanset për të mbetur i tillë, pavarësisht dogmave, sipas të cilave, të dy palët në sherr për pushtet, pasi të kenë qëruar përfundimisht hesapet me njëri-tjetrin do e bëjnë këtë vend më të pranueshëm për humanët.
Mëngjesi i fatit të Isaleos, dhe jo vetëm i tij, dikton vijim dëshpërimndjellës.