Xhafaj pro ndryshimeve kushtetuese:Anëtarët e Kushtetueses, me 84 vota
Partia Socialiste hodhi dje idenë e ndryshimeve Kushtetuese për miratimin e kandidatëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë. Sekretari për çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, shprehu angazhimin e hapur të kësaj partie në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për këta gjyqtarë, nëse votimi i tyre në parlament bëhet me shumicë të cilësuar. "Partia Socialiste angazhohet solemnisht se do të mbështesë fort politikisht çdo hap pozitiv që i shërben ndërtimit të një procesi konstruktiv për përzgjedhjen e kandidaturave, duke konsideruar pozitivisht edhe propozimin e partnerëve ndërkombëtarë për mundësinë e votimit të dekreteve presidencialë nga Kuvendi me një shumicë të cilësuar", u shpreh Xhafaj. Kushtetuta e përcakton qartë se anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit, që do të thotë se kërkohet një shumicë e thjeshtë parlamentare. Përcaktimi kushtetues për miratimin e tyre nuk kërkon domosdoshmërisht votat e opozitës. Në këtë mënyrë, miratimi i anëtarëve të këtyre gjykatave dhe funksionimi i tyre nuk vihet për asnjë moment në vështirësi apo bllokim për mungesë të konsensusit. Një nga gjykatat më të reja, Gjykata Administrative, për të cilën biznesi kërkon miratim të menjëhershëm, është bllokuar për shkak të votave të cilësuara që kërkohen në Kuvend. Mungesa e opozitës ka bërë bllokimin e saj dhe mosngritjen e Gjykatës Administrative që në fundin e legjislacionit të kaluar parlamentar. Sekretari për çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj kërkoi dje nga Presidenti i Republikës transparencë në përzgjedhjen e kandidatëve për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. "Partia Socialiste e konsideron shumë të rëndësishme që ky proces konsultimi të jetë real, transparent dhe efektiv", u shpreh Xhafaj.