KiE: PS të jetë përherë në punimet e Kuvendit, letra e kongresmenit të SHBA: Hapni disa kuti
Aristir Lumezi
Kongresi amerikan kërkon hetimin e zgjedhjeve dhe hapjen e kutive të kontestuara. Kryetari i Nënkomitetit për Evropën i Komitetit të Politikës së Jashtme të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Bill Delahunt, përmes një letre drejtuar Kryeministrit Sali Berisha ka shprehur shqetësimin për krizën politike që po kalon Shqipëria, që pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Kongresmeni i lartë amerikan vlerëson progresin e bërë, i cili u kurorëzua edhe me anëtarësimin historik në NATO, së bashku me afrimin e mëtejshëm me Bashkimin Evropian. "Sidoqoftë, duke pasur parasysh shembullin e fundit në lidhje me legjislacionin mbi shërbimin e inteligjencës, të cilin ju e tërhoqët nga Parlamenti nën presionin e aleatëve të NATO-s, si dhe ngërçin politik që pasoi zgjedhjet parlamentare të vitit që shkoi, Shqipëria duhet të vazhdojë të konsolidojë institucionet e saj demokratike dhe të forcojë sundimin e ligjit", është shprehur Delahunt. Por pika më e rëndësishme për të cilën kreu i Nënkomitetit të Politikës së Jashtme për Evropën në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA nxit Kryeministrin Berisha që të realizojë, është transparenca e zgjedhjeve, si një mënyrë që do të forconte dhe konsolidonte më tej demokracinë. "Jam në dijeni se një delegacion i kohëve të fundit i Këshillit të Evropës ka propozuar një zgjidhje të krizës politike bazuar në parimet e mëposhtme, parime që janë të bazuara te korniza kushtetuese e Shqipërisë: Krijimin e një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009, të kryesuar nga një përfaqësues i opozitës dhe në të cilin opozita do të ketë një maxhorancë efektive; amendime të Kodit Elektoral, të përgatitura nga komisioni hetimor dhe në përputhje me rekomandimet e misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë, si dhe me Rezolutën 1709; dhe dhënien opozitës së një pjese të drejtë të kryesive të komisioneve parlamentare", ka shkruar Delahunt, duke kërkuar hapur hapjen e kutive. "Për më tepër, ju nxis juve që të hapni kutitë e kontestuara të votimit, në kuadrin e hetimit parlamentar të propozuar. Ky veprim është në përputhje me një përkushtim të fortë ndaj procesit demokratik të lirë e të ndershëm dhe do të mundësonte një vlerësim të qartë, në funksion të përmirësimit të sistemit elektoral në të ardhmen", ka nënvizuar ai. Kongresmeni amerikan thekson më tej në letër se nga zgjedhjet e besueshme dhe institucionet e forta demokratike në Shqipëri, nuk do të përfitonte vetëm populli shqiptar, por do të forcoheshin më tej edhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA, si dhe pozicioni i Shqipërisë në NATO dhe Evropë. Në përfundim të letrës, zyrtari amerikan cilëson si të domosdoshme zgjidhjen në një kohë sa më të shkurtër të këtyre çështjeve. është hera e parë që Shtetet e Bashkuara shprehen jo vetëm për krizën politike në vend, por edhe për rrugët e zgjidhjes së saj, duke përmendur edhe kutitë.
Uidhërs
Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, kërkoi zgjidhjen sa më parë të krizës politike. E gjithë kjo situatë, sipas tij, duhet të zgjidhet përmes një kompromisi brenda Parlamentit. Uidhers kërkoi që marrëveshja midis forcave kryesore politike të arrihet duke gjetur pikat e takimit midis tyre dhe jo nëpërmjet interesave partiake. Ai ka shfaqur edhe shqetësimin se seancat plenare të deritanishme, nuk kanë sjellë zgjidhjen e situatës politike, por vetëm përkeqësimin e saj.