E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE dorëzon raportin për vizat



Erald Kapri

Komisioni Evropian dorëzoi raportin për liberalizimin e vizave për Shqipërinë e Bosnjën. Në 44 faqe të këtij raporti, të përfunduar në datën 19 prill, Komisioni Evropian bën një vlerësim të detajuar të të 4 blloqeve të kushteve teknike që i janë kërkuar Shqipërisë të përmbushë për liberalizimin e vizave. Raporti bën vlerësimin në mënyrë të detajuar të kritereve, duke ia përcjellë për miratim Këshillit të BE-së. Mbi bazën e këtij raporti do të merret vendimi nëse qytetarët shqiptarë do të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen. Ministria e Jashtme bëri dje me dije raportin. Kështu në bllokun e parë të kritereve që ka të bëjë me sigurinë e dokumenteve, ekspertët e Komisionit vlerësojnë se Shqipëria ka plotësuar kushtet. “Mes majit 2009 dhe marsit 2010 janë lëshuar 497 mijë pasaporta biometrike. Detajet e sigurisë së pasaportave të reja biometrike (foto dhe shenjat e gishtave) janë në përputhje me standardet e ICAO dhe BE”, thuhet në raport. Përsa i përket bllokut 2 të kritereve për emigrimin ilegal, përfshirë ripranimin, raporti thotë se “duket se Shqipëria në përgjithësi i ka përmbushur standardet e vendosura në bllokun 2 të udhëzuesit. Nevojiten verifikime të mëtejshme në lidhje me zhvillimin e strategjisë dhe politikës për të mbështetur ri-integrimin e të kthyerve”. Për këto kritere thuhet më tej se “Strategjia e menaxhimit të Integruar të Kufijve dhe Plani i Veprimit janë rishikuar në tetor 2009 dhe zbatimi i tyre po vazhdon. Bashkëpunimi mes agjencive është forcuar dhe qendra operacionale detare ndër institucionale ka hyrë në veprim në janar 2010. Janë bërë përmirësime të mëtejshme të infrastrukturës së pikave të kalimit kufitar dhe pajisje shtesë do të vendosen gjatë vitit 2010”. Më tej bëhet edhe një vlerësim mbi legjislacionin e miratuar në lidhje me këtë bllok kriteresh, si “miratimi në vitin 2008 dhe plani i veprimit i tetorit 2009 për zbatimin e ligjit është përmbushur gjerësisht”. Raporti thotë se “një Regjistër Kombëtar për të huajt u bë operacional në shkurt 2010. Nevojiten përpjekje të reja për të vendosur një strategji mirëkuptuese ri-integrimi për shqiptarët e kthyer. Ndalimi i brendshëm i emigrantëve të parregullt është forcuar nëpërmjet një urdhërese mbi bashkëpunimin ndër-agjencish. Po finalizohet ndërtimi i një qendre ndalimi”.
Blloku i tretë i kritereve ka të bëjë me rendin publik dhe sigurinë, vlerësohet në tërësi se “Shqipëria i plotëson shumicën e standardeve të përcaktuara sipas bllokut 3 të programit. Përpjekje të mëtejshme janë të nevojshme në lidhje me forcimin e kapaciteteve të zbatimit të ligjit dhe zbatimin efektiv të kuadrit ligjor për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke përfshirë shpërndarjen e burimeve të mjaftueshme financiare dhe njerëzore”. Në mënyrë të detajuar për bllokun 3 thuhet se ka një zbatim më të mirë të ligjit në fushën e sigurisë. “Autoritetet shqiptare kanë rritur më tej përpjekjet e tyre për të luftuar krimin e organizuar. Struktura ligjore për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është zhvilluar pas miratimit së fundmi të ligjeve të rëndësishme mbi konfiskimin e pasurive të krimit të organizuar, asistencës reciproke ligjore dhe mbrojtjes së dëshmitarëve”, thotë më tej raporti. Blloku i 4-t i kritereve ka të bëjë me marrëdhëniet me jashtë dhe të drejtat themelore në Shqipëri. Raporti vlerëson se “Shqipëria në përgjithësi i ka përmbushur standardet e vendosura në Bllokun 4 të udhërrëfyesit”. Më tej thuhet se një zhvillim kyç pozitiv ka qenë miratimi, në shkurt 2010, i Ligjit mbi Mbrojtjen nga Diskriminimi. Sipas raportit, tani duhet të ushtrohet zbatimi i tij, përfshirë caktimin e Komisionerit të ri. Më tej thuhet se janë ndërmarrë disa iniciativa pozitive për të promovuar qëllimin e përfshirjes së romëve, sidomos në fushën e edukimit, kulturës dhe punësimit.

Vlerësimi i kritereve për liberalizimin e vizave nga KE

Blloku i parë
Siguria e dokumenteve
Shqipëria ka bërë progres shumë të mirë drejt përmbushjes së standardeve të bllokut të parë. Mes majit 2009 dhe marsit 2010 janë lëshuar 497 mijë pasaporta biometrike. Detajet e sigurisë së pasaportave të reja biometrike (foto dhe shenjat e gishtave) janë në përputhje me standardet e ICAO dhe BE.
Lëshimi i pasaportave të reja biometrike është përqendruar në Tiranë dhe menaxhimi dhe vëzhgimi është bërë nga një kompani private, për llogari të Ministrisë së Brendshme Shqiptare. është kryer një proces i prodhimit të sigurt dhe efikas me procedura shpërndarjeje dhe personalizimi.
Stafi i zgjedhur për procesin e personalizimit të pasaportave është zgjedhur me kujdes dhe ka bërë një trajnim të përshtatshëm. Rreziku i korrupsionit dhe mashtrimit është minimizuar nga masat e sigurisë teknike si: ndarja strikte e detyrave, logot hyrëse dhe kamerat e vëzhgimit.
Në lidhje me mbajtjen e dokumentacionit, Regjistri Kombëtar Civil është burimi i vetëm i informacionit të statusit civil (që në shkurt 2009) dhe çdo qytetar ka një numër personal të përhershëm identifikimi (ID)
Duket se Shqipëria i ka përmbushur standardet e vendosura në bllokun e parë të udhëzuesit.

Blloku i dytë
Emigrimi ilegal, përfshirë ripranimin
Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në menaxhimin e kufijve, azilit dhe emigrimit.
Për sa i përket menaxhimit të kufijve, legjislacioni për zbatimin e plotë dhe efektiv të Ligjit mbi Kontrollin dhe Survejimin e Kufijve Shtetërorë është miratuar në 2008. Strategjia e menaxhimit të Integruar të Kufijve dhe Plani i Veprimit janë rishikuar në tetor 2009 dhe zbatimi i tyre po vazhdon. Bashkëpunimi mes agjencive është forcuar dhe qendra operacionale detare ndër institucionale ka hyrë në veprim në janar 2010. Janë bërë përmirësime të mëtejshme të infrastrukturës së pikave të kalimit kufitar dhe pajisje shtesë do të vendosem gjatë vitit 2010. Burimet njerëzore janë forcuar dhe një curiculum i ri trajnimi është zhvilluar në bashkëpunim me FRONTEX.
Sistemi i azilit në Shqipëri është funksional dhe struktura ligjore është forcuar më tej për të siguruar përputhjen me standardet ndërkombëtare dhe ato të BE-së. Autoritetet shqiptare gradualisht po marrin përgjegjësitë nga UNHCR.
Në zonën e menaxhimit të emigrimit, legjislacioni për zbatimin e plotë dhe efektiv të ligjit për të huajt është miratuar në vitin 2008 dhe plani i veprimit i tetorit 2009 për zbatimin e ligjit është përmbushur gjerësisht. Një Regjistër Kombëtar për të huajt u bë operacional në shkurt 2010. Nevojiten përpjekje të reja për të vendosur një strategji mirëkuptuese ri-integrimi për shqiptarët e kthyer. Ndalimi i brendshëm i emigrantëve të parregullt është forcuar nëpërmjet një urdhërese mbi bashkëpunimin ndër-agjencish. Po finalizohet ndërtimi i një qendre ndalimi.
Duket se Shqipëria në përgjithësi i ka përmbushur standardet e vendosura në bllokun 2 të udhëzuesit. Nevojiten verifikime të mëtejshme në lidhje me zhvillimin e strategjisë dhe politikës për të mbështetur ri-integrimin e të kthyerve.

Blloku 3
Rendi publik dhe siguria
Progres i konsiderueshëm është bërë nga Shqipëria mbi përmbushjen e standardeve të bllokut 3. Autoritetet shqiptare kanë rritur më tej përpjekjet e tyre për të luftuar krimin e organizuar. Struktura ligjore për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është zhvilluar pas miratimit së fundmi të ligjeve të rëndësishme mbi konfiskimin e pasurive të krimit të organizuar, asistencës reciproke ligjore dhe mbrojtjes së dëshmitarëve. Struktura e përgjithshme ligjore në këtë fushë tani është aty ku duhet. Përputhja e strukturës së brendshme ligjore me standardet evropiane dhe ndërkombëtare është në progres.

Përpjekjet për të luftuar trafikun e drogës dhe të qenieve njerëzore kanë vazhduar mirë dhe është bërë progres në forcimin e kapaciteteve të ligjit kundër pastrimit të parave. Një numër në rritje të rasteve të korrupsionit është hetuar dhe proceduar, edhe pse niveli i dënimeve përfundimtare ende mbetet i ulët. Në të gjitha fushat nevojiten përpjekje shtesë për të vazhduar rritjen e kapaciteteve të forcimit të ligjit dhe zbatimin me efektivitet të strukturës ekzistuese për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ndarja e informacionit ndërmjet agjencive të forcimit të ligjit ka avancuar dukshëm nëpërmjet zgjerimit të sistemit MEMEX në të gjitha drejtoritë e policive rajonale dhe drejtoritë e policisë kufitare dhe të emigrimit. Përpjekjet për të zbatuar një trajtim të hetimeve të drejtuara nga shërbimet sekrete (inteligjencës) dhe forcimi i kapacitetit hetues të prokurorisë dhe policisë duhet të vazhdojnë. Bashkëpunimi në luftën kundër krimit ekonomik është zgjeruar me punën e Njësive të reja të Përbashkëta Hetuese në këtë fushë. Përpjekje për të zgjeruar bashkëpunimin operacional ndërmjet policisë dhe gjyqësorit në rastet e hetimit të krimit të organizuar në fusha të tjera duhet të zhvillohen më tej.

Bashkëpunim efektiv është regjistruar me autoritetet kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e bashkëpunimit juridik në çështjet kriminale dhe një numër hetimesh të suksesshme janë kryer në bashkëpunim me agjencitë e huaja të forcimit të ligjit. Këto përpjekje pozitive duhet të vazhdojnë. Në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale mund të theksohet progres i mëtejshëm i mirë me publikimin e një plani veprimi dhe aktivitetin gjithnjë e më të kujdesshëm.

Duket se Shqipëria i plotëson shumicën e standardeve të përcaktuara sipas bllokut 3 të programit. Përpjekje të mëtejshme janë të nevojshme në lidhje me forcimin e kapaciteteve të zbatimit të ligjit dhe zbatimin efektiv të kuadrit ligjor për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke përfshirë shpërndarjen e burimeve të mjaftueshme financiare dhe njerëzore. Në mënyrë të veçantë zbatimi i kuadrit të ri ligjor në fushën e konfiskimin e pasurisë penale duhet të ndiqet me vendosmëri.

Blloku 4
Marrëdhëniet me jashtë dhe të drejtat themelore
Shqipëria ka bërë progres shumë të mirë në përmbushjen e standardeve të bllokut 4. Një zhvillim kyç pozitiv ka qenë miratimi, në shkurt 2010, i Ligjit mbi Mbrojtjen nga Diskriminimi. Ligji parashikon dukshëm vlerësimin e institucionit të Komisionerit të Mbrojtjes nga Diskriminimi, me kompetenca shumë të gjera, të cilat mund të sigurojnë asistencë për viktimat dhe të imponojnë gjoba për thyerjen e ligjit. Ligji ka hyrë në fuqi në mars 2010. Tani duhet të ushtrohet zbatimi i tij, përfshirë caktimin e Komisionerit të ri.

Progres i mëtejshëm është bërë në zbatimin e Strategjisë Kombëtare për përmirësimin kushteve të jetesës së romëve. Janë ndërmarrë disa iniciativa pozitive për të promovuar qëllimin e përfshirjes së romëve sidomos në fushën e edukimit, kulturës dhe punësimit. Përpjekje janë bërë edhe për të lehtësuar regjistrimin civil të komunitetit rom. Këto përpjekje pozitive duhet të vazhdojnë dhe duhet të sigurohen burime të mjaftueshme për zbatimin e mëtejshëm të Strategjisë.

Duket se Shqipëria në përgjithësi i ka përmbushur standardet e vendosura në Bllokun 4 të udhërrëfyesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›